Hajdutët e pyjeve rrahin një polic

Dy hajdutë të druve para dy ditëve, thuhet se kanë rrahur një polic të pyjeve në rrethinën e Kriva Pallankës, i cili i zuri ata duke prerë ilegalisht malin. Polici i rrahur, ka përfunduar në spital me lëndime fizike. Rasti është lajmëruar në polici, por dy sulmuesit ende gjenden në liri, informon Sindikata e Pavarur e Policisë. Ky institucion thotë se policët e pyjeve janë të pasigurt gjatë kryerjes së detyrave të tyre, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Kryetari i kësaj organizate, Goce Dellçev Todev thotë se kolegët e tij po sulmohen fizikisht nga prerësit ilegal të maleve, numri i të cilëve, sipas tij, po rritet çdo ditë e më shumë.

“Nuk do të ndodh ajo që ka ndodhur në Tetovë gjatë 20 viteve të fundit: prerje e vazhdueshme e pyjeve, sepse atje policët e pyjeve ndoshta as që guxojnë të dalin në terren. Policët e pyjeve edhe në Malin e Zi të Shkupit nuk mund të reagojnë”, ka thënë ai.

TV21 ka kontaktuar me MPB në lidhje me këtë rast, por prej atje thonë se te ata nuk është paraqitur ndonjë rast i këtillë. Sindikata e Pavarur e Policisë nga njësitet tjera policore, kërkon mbrojtje më të madhe për policinë e pyjeve. Sindikalistët njëherazi paralajmërojnë se policia e pyjeve patjetër duhet të forcohet, me qëllim që të parandalohet  prerja ilegale dhe shpyllëzimi. Rezultatet nga prerja e pakontrolluar e pyjeve mund të vërehet edhe në “google map”.

Mali i Zi i Shkupit në vitin 2000 ka qenë i mbushur me pyje, kurse fotografitë që mund të shihen sot prej në “google map” tregojnë se kjo kodër nga lartë, tani ka marr ngjyrë tjetër nga e gjelbër që kishte dikur, shkaku i degradimit që i është bërë malit.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT