Guy-Smith: Gjykata Speciale do të jetë problematike

Avokati Gregory Guy-Smith, i cili ka një përvojë të gjatë në proceset gjyqësore lidhur me krimet e luftës, kështë shprehur me shumë rezervë lidhur me themelimin e Gjykatës Speciale për krimet e luftës të kryera në Kosovë.
Në një intervistë të gjatë, në emisionin “Rubikon”, në KTV, ai ka shprehur bindjen se themelimi i kësaj gjykate nuk do t’i sjellë asgjë të mirë Kosovës, madje do të ketë ndikim negative në zhvillimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë.
Smith, ka thënë se sipas projektligjit që ai e ka pasur në dorë, në këtëb gjykatë nuk do të ketë asnjë prokuror apo gjuqtar kosovar.
“… sa e shoh unë, pas shqyrtimit të draftligjit, në këtë gjykatë nuk do të jetë askush nga Kosova. Nuk do të ketë prokurorë as gjyqtarë kosovarë”, ka thënë ai.
Smith ka thënë se kjo nuk është gjë e mirë për Kosovën.
“Për mendimin tim, kjo nuk është shumë gjë e mire, sepse paraqet aspekt kritik të shoqërisë, sepse drejtësia që u ka shërbyer njerëzve do të jetë jashtë progresit të këtyre njerëzve. Po ashtu, është edhe një çështje: siç e kam kuptuar, rregullat për dëshmitë e kësaj gjykate do të jenë unike krahasuar, me ato në Kosovë”, ka theksuar ai.
Avokati Smith e ka vlerësuar si njërin ndër çështjet më të ndjeshme mundësinë që Gjykata Speciale të gjykojë edhe çështje që janë gjykuar nga gjykata të tjera, gjë që përbën shkelje të njërës prej normave themelore të sistemit të drejtësisë në botë.
“Është jashtëzakonisht e mundimshme të mendohet në një botë moderne, në atë që e quajmë shoqëri e civilizuar, shoqëri demokratike, nocioni që një individ, i cili është dënuar apo shfajësuar për një krim të mëparshëm, të mund të gjykohet sërish. Kjo e hap kutinë e Pandorës. E hap në atë mënyrë që duhet të ketë shumë, shumë kujdes. Sepse lejon në një kontest special, për të cilin po flasim tani, kur ju keni një gjykatë me mandat prej pesë vjetësh”, është shprehur Smith.
Ai ka thënë se Gjykata Speciale do të ketë konsekuenca për zhvillimin e sistemit gjyqësor në Kosovë.
“Nga sa kuptoj unë, kjo gjykatë nuk do të mbikëqyret nga askush në Kosovë. Dhe gjykata realisht nuk do të zgjasë për pesë vjet, ajo do të zgjasë për një periudhë më të gjatë kohore dhe, vërtet ,do të ketë konsekuenca në zhvillimin e sistemit gjyqësor këtu në Kosovë”, është shprehur Smith.
E kur është pyetur nga drejtuesi i emisionit Adriatik Kelmendi përse pra bashkësia ndërkombëtare insiston në themelimin e kësaj gjykate, Gregory Guy-Smith është përgjegjur:
“Sepse bashkësia ndërkombëtare nuk është e kënaqur me rezultatet që tashmë janë arritur në këto gjykata. Kaq e thjeshtë”.
“Ekziston një perceptim që Kosova nuk është në gjendje që të kujdeset për drejtësinë dhe çështjet e veta”, ka shtuar Smith.
Por ai vetë e ka vënë dyshim këtë perceptim.
“Nuk jam shumë i sigurt nëse kjo është e vërtetë. Në fakt mendoj se nuk është e vërtetë. Sistemi i drejtësisë është diçka që evoluon. Ju keni një shtet shumë të ri”, është shprehur ai.
Gregory Guy-Smith ka qenë avokat mbrojtës i disa të akuzuarve në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime të Luftës në Ish-Jugosllavi, përfshirë edhe të akuzuar shqiptarë e serbë, ndërsa tani është avokat i Sulejman Selimit, i cili është në mesin e ish-drejtuesve e ish0komandantëve të UÇK-së që akuzohen për krime lufte të kryera ndaj civilëve në Kosovë.
- Advertisement -

MË TË FUNDIT