Shuarja e plotë e sistemit paralel të Serbisë në Kosovë dhe ndërtimi i mirëbesimit, do t’i paraprinte integrimit të komunitetit serb në sistemin e shtetit të Kosovës, thuhet në raportin e prezantuar nga Grupi Ballkanik për Politika të titulluar; “Integrimi i serbëve në Kosovë pas marrëveshjes së Brukselit”.
Drejtor Ekzekutiv i Grupit Ballkanik, Marko Prelec ka thënë se arritja e marrëveshjes së parë për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, ishte pjesa e lehtë e punës, krahasuar me zbatimin e saj në terren.
“Ajo që po trajtojmë në të vërtetë këtu ka të bëj me ecjen përpara nga gjendja të cilën e kemi sot në të cilën ende kemi dy sisteme që funksionojnë, atë të Serbisë dhe Kosovës. Qëllimi duhet të jetë që të kalohet vetëm në një sistem – atë të shtetit të Kosovës”, ka deklaruar Prelec.
Komunat me shumicë serbe, ka vijuar Prelec, ballafaqohen me problemin e funksionimit paralel të kryetarëve të zgjedhur dhe atyre paralel.
Në disa raste, sipas tij, kryetarët paralel janë po ata të zgjedhur, e në raste tjera, kryetarët e komunave serbe janë edhe zyrtar që mbajnë poste në Serbi.
Andaj, ai ka rekomanduar që të krijohej një evidencë se kush punon në sistemin legal e kush jo, në mënyrë që edhe buxheti i Kosovës të ndahet vetëm për ata që punojnë për qeverinë e Kosovës.
Më tutje, Prelec ka përmendur edhe themelimin e Asociacioni i Komunave Serbe, duke rekomanduar qartë se ky trup duhet të ndërtohet në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.
Prelec e ka potencuar edhe ndërtimin e mirëbesimit si një nga parakushtet për integrim të komunitetit serb.
Ai kishte rekomandime edhe për përfaqësuesit politik të serbëve, sidomos atyre nga Lista Serbe.
“Sfidë për përfaqësuesit e komunitetit serb është që ata të fillojnë të veprojnë si përfaqësues të popullit dhe jo si përfaqësues të Beogradit”, ka thënë Prelec.
Sipas tij, duke qenë përfaqësues të Beogradit, këta politikan serb nga Kosova do të shihen nga shumica shqiptare vetëm si një dorë e zgjatur e Serbisë, kështu që kjo do të ishte me kundër-efekt.
Ndërkohë, ambasadorja e Zvicrës në Prishtinë, Krystyna Marty Lang ka vlerësuar se dialogu i Brukselit dhe rezultatet e prodhuara po interpretohen në mënyra të ndryshme.
Edhe ambasadorja zvicerane ka potencuar se ndërtimi i mirëbesimit midis komuniteteve do të jetë shumë i rëndësishëm për gjithë procesin e integrimit.
“Ne po e shohim se sa e ngadalshme është që të ndërtohet besimi dhe sa lehtë është që të shkatërrohet ky besim kur politikanët, si ata shqiptar apo serb bëjnë deklarate provokuese”, ka theksuar ambasadorja Krystyna Marty Lang.
Integrimi i komuniteteve krahas funksionimit të shtetit të Kosovës, është parë si çështje esenciale edhe nga ambasadori i Norvegjisë në Prishtinë, Jan Braathu.
“Pavarësia e Kosovës është arritur mbi bazën e marrëveshjes. E marrëveshja ishte integrimi i komuniteteve pakicë në sistemin e Kosovës në harmoni me standardet evropiane”, ka theksuar ambasadori norvegjez.
Ky integrim, ka thënë ai, parashihej qartë me planin e Ahtisaarit për statusin e Kosovës. Por, ai ka tërhequr edhe vërejtjen që krahas këtyre hapave integrues të pakicave, Kosova duhet të ruaj funksionimin e vet si shtet. (rel)