Ka vazhduar gjykimi ndaj Oliver Ivanoviqit dhe katër serbëve të tjerë, Dragan Delibashiq, Ilija e Nebojsha Vujaçiq dhe Aleksandër Llazoviq, të cilët aktakuza i ngarkon për krime gjatë luftës dhe për vrasjen e 10 shqiptarëve, plagosjen e 25 të tjerëve, rrahjen dhe keqtrajtimin e 92 shqiptarëve të tjerë, si dhe dëbimin e mbi 12 mijë shqiptarëve nga pjesa veriore e Mitrovicës, në shkurtin e vitit 2000.
“Kam qenë me gruan time dhe me një polic të UNMIK-ut nga Jordanica, duke pirë çaj në banesën time në veri të Mitrovicës. Papritmas kam dëgjuar disa të shtëna.
Gruaja ka dalë në korridor për të parë se çfarë po ndodhte dhe menjëherë është qëlluar me dy plumba, nga të cilët vdiq në vend. Pasi që vranë gruan time, disa persona, më duket që ishin tetë, kanë hyrë në banesë, pasi që e thyen derën.
Personat që hynë në banesë nuk i kam njohur”, ka rrëfyer dëshmitari Shaip Canhasi, para gjykatëses së EULEX-it, Roksana Komsha, në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, të mërkurën, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Cezare Mihalçuk./zeri/