Emma Coronel Aispuro, gruaja e bosit meksikan të drogës Joaquin “El Chapo” Guzman, pranoi akuzat për tre çështje të trafikut të drogës “në perandorinë” burrit të saj.

Ajo pranoi akuzat në një gjykatë federale në Uashington gati dy vjet pasi Guzman u dënua me burgim të përjetshëm plus 30 vjet, për 10 akuza përfshirë shpërndarjen ndërkombëtare të kokainës, heroinës, marihuanës dhe drogave të tjera dhe përdorimin e armëve të zjarrit. Aktualisht ai po mbahet në burgun Supermax të Kolorados.

31-vjeçarja u arrestua në Aeroportin Ndërkombëtar “Dulles” në Virxhinia dhe u akuzua se ka ndihmuar bashkëshortin e saj për të drejtuar kartelin famëkeq të Sinaloas. Zyrtarët e FBI thanë se Coronel ndihmoi për të shpërndarë kokainë dhe në planifikimin e arratisjes së burrit të saj nga një burg meksikan në 2015.

Coronel, një shtetase si e Meksikës ashtu edhe e SHBA-së u takua me Guzman kur ishte vetëm 17 vjeç, dhe u martuan shumë shpejt. Ata kanë dy fëmijë, Maria Joaquina dhe Emali. Gjatë gjykimit të burrit të saj, Coronel ulej në sallën e gjyqit pothuajse çdo ditë, për t’i treguar atij përkrahjen dhe besnikërinë absolute.