Greqia më 6 maj duhet t’i paguajë FMN-së 200 milionë euro interes

Pagesa e ardhshme e Greqisë ndaj Fondit monetar ndërkombëtar, në vlerë të përgjithshme prej rreth 200 milionë euro me interes arrin më 6 maj, për shkak të festave të Majit në Greqi, deklaroi zëdhënësi i FMN-së, transmeton korrespondenti i MIA-s nga Athina.

Xheri Rajs tha se Fondi nuk ka vlerësim “të hollësishëm” të gjendjes me likuiditetin e Greqisë dhe shfaqi shpresë se do të marrë më tepër informata gjatë negociatave të Athinës me FMN-në dhe kreditorët evropianë, të cilat u ripërtërinë dje në Bruksel.

Përfaqësues të tregjeve financiare shprehën dyshim për atë nëse Greqisë ka para për ta paguar borxhin ndaj FMN-së këtë muaj, përderisa ende paguan rroga dhe pensione.

Kësti i ardhshëm i Greqisë ndaj FMN-së, në vlerë prej 750 milionë eurove, arrin më 12 maj, dhe Athina zyrtare tashmë lajmëroi se do të jetë shumë vështirë ta shlyejë borxhin.

Qeveria greke dje sinjalizoi se është e gatshme për lëshime më të mëdha pasi që filloi negociatat me kreditorët për pakon e reformave. Athina po përballet me presion gjithnjë e më të madh  brenda dhe jashtë të arrijë marrëveshje me kreditorët evropianë dhe FMN-në që të evitohet falimentimi nacional.

Ndërkohë, agjencia Bllumberg, duke iu referuar burimeve të veta, kumtoi se Greqia dhe partnerët e saj evropianë planifikojnë të arrijnë marrëveshje në fillim të javës së ardhshme.

Dy palët në mënyrë preliminare e caktuan datën 3 maj për arritjen e marrëveshjes fillestare, në mënyrë që ministrat e financave të vendeve nga eurozona në takimin më 11 maj të mund ta miratojnë marrëveshjen dhe t’i zhbllokojnë mjetet financiare për Greqinë. Faktor kyç i cili mund të çojë në arritjen e depërtimit në negociata është vendimi që kryeminsitri Aleksis Cipras të marrë pjesë në to.

Megjithatë ekzistojnë pengesa serioze për përfundim të suksesshëm të negociatave, komenton agjencia.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT