Grenell me thirrje për vendet perëndimore dhe qeveritë: Duhet që të punoni fortë, për ta nxjerrë Thaçin nga burgu

Ish-emisari amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka folur për momentin kur i ishte ndërprerë rruga ish-presidentit Hashim Thaçi për në Washington nga Gjykata Speciale. Ai ka thënë se nuk e di çfarë ndodhi në atë kohë, por që sipas tij Thaçi kishte marrë vendime të mira për të vendosur paqen.

Grenell tha se është e tmerrshme që të ndalohesh në këtë mënyrë, si ishte ndaluar Thaçi nga Gjykata Speciale në Hagë.

Ai u ka bërë thirrje çdo përfaqësues perëndimor, qeveri, agjenci për të punuar fort dhe për të nxjerrë Thaçin nga burgu.

“Po, mendoj se është e tmerrshme që të ndalohesh në këtë mënyrë. Nuk e di se çfarë ndodhi me siguri, por ajo që mund të të them është se në atë pikë të negociatave, Thaçi kishte marrë vendime të mira për të vendosur paqen. Ishin vendime të mira, por edhe të ashpra, ishim në rrugën e duhur. Pas më shumë se 20 vjetësh, Gjykata Ndërkombëtare nxori diçka, por momenti kur e bënë ishte skeptik dhe i tmerrshëm. Bota Perëndimore duhet të kthejë sytë pas dhe të thotë: “Diçka nuk po shkon. Dikush është duke luajtur me politikën.” Do të bëja thirrje për çdo përfaqësues perëndimor, qeveri, agjenci për të punuar fort dhe për të nxjerrë Thaçin nga burgu. Është e papranueshme që ta mbash në qeli kaq gjatë, pa akuza të çartë”, ka thënë Grenell në ‘Opinion’.

Kujtojmë që me 24 qershor të vitit 2020, Hashim Thaçi kishte marrë rrugën në Washington ku pritej të takohej me Vucic në Shtëpinë e Bardhë. Mirëpo pas njoftimit të bërë publik nga Zyra e Prokurorit të Specializuar lidhur me iniciimin e ngritjes së aktakuzës, Thaçi kishte ndërprerë udhëtimin zyrtar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ishte ftuar të merrte pjesë në kuadër të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Hashim Thaci, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar me 6 akuza për krime kundër njerëzimit, si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 4 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme. /gazetametro.net

- Advertisement -

MË TË FUNDIT