Gratë deputetet takohen me eurodeputeten Lunaçek

Është e nevojshme që të prodhohen mekanizma , të cilët do të mundësojnë zbatimin e ligjeve nga lëmi i së drejtës së pronës edhe për gratë
 Gratë edhe me votën e tyre po sigurojnë vende si deputete, si në Kuvend, ashtu edhe në asambletë komunale 
Bordi i Grupit të Grave Deputete, në përbërje: Vjosa Osmani, Blerta Deliu-Kodra,Aida Dërguti dhe Time Kadrijaj, pritën  sot në një takim eurodeputen dhe raportuesen e Kosovës në Parlamentin Evropian, z. Ulrike Lunaçek. Në këtë takim u bisedua gjerësisht për aktivitetin e Grupit të Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës,si dhe sfidat me të cilat ballafaqohen gratë në mbrojtjen e të drejtave të tyre kudo që punojnë e veprojnë .
Pasi e përshëndeti dhe i uroi mirëseardhje znj. Lunaçek, Vjosa Osmani, i shprehu mysafires konsideratën e lartë për angazhimin në Parlamentin Evropian për njohjen e Kosovës edhe nga 5 shtetet e BE-së, që ende nuk e kanë bërë këtë, si dhe përpjekjet e saj që bën për liberalizimin e vizave edhe për kosovarët. Ndërkaq, në vazhdim , ajo foli për angazhimet e grave deputete të Kuvendit të Kosovës në avancimin e pozitës së gruas, duke u ndalur sidomos në fushën e legjislacionit, që ka të bëjë më këtë temë. Një hap pozitiv në realizimin e të drejtave të tyre, pos pjesëmarrjes së tyre në Kuvendin e Kosovës në bazë të kuotës, ajo përmendi edhe faktin se tashmë gratë po sigurojnë vende si deputete, si në Kuvend, ashtu edhe në asambletë komunale edhe me votën e tyre. Z. Osmani pastaj i bëri edhe një vështrim viktimave të luftës nga radhët e grave, si dhe Ligjin për viktimat e dhunës seksuale.
Zonja Lunaçek, në fjalën e saj , theksoi se e çmon shumë kontributin e grave deputete. Kosova ka ligje të mira, por çështje është sa e si zbatohen ato. Në këtë vështrim ajo foli edhe për nevojën e respektimit të dispozitave ligjore që kanë të bëjnë me realizimin e së drejtës legjitime të gruas në lëmin e të drejtave pronësore.
Aida Dërguti tha se duhet të përqendrohet vëmendja edhe në mbikëqyrjen e zbatimit të dispozitave ligjore , që kanë të bëjnë me të drejtën e pronës edhe për gratë, sidomos pas divorcit, kur ato nuk marrin asgjë nga prona, megjithëse me ligj iu takon ajo. Në vijim ajo foli edhe për Ligjin për barazinë gjinore, duke apeluar për të kontribuuar edhe për zbatimin e tij.
Në diskutimin e saj Blerta Deliu-Kodra theksoi se në Grupin e Grave Deputete janë të përfaqësuara deputete nga të gjitha subjektet politike, duke theksuar se ky grup vepron pa barriera politike. Ajo theksoi se Legjislacioni lidhur me pronën është i mirë, por ekziston dukuria se me testament prona u lihet burrave. Shih për këtë është e nevojshme që të prodhohen mekanizma , të cilat do të mundësojnë zbatimin e ligjeve të vendit në këtë segment,  të cilat janë të hartuara mbi bazën e standardeve evropaine. Diskutueset theksuan se çështjet rreth pronës, përkatësisht padrejtësitë që bëhen kundruall grave,  janë më të theksuara në vendbanimet rurale.
Duke folur për Ligjin për viktimat e dhunës seksuale, i cili qe një vit është aprovuar nga ana e Kuvendit të Kosovës, Time Kadrijaj, theksoi se në hartimin dhe diskutimin e tij kanë marrë pjesë edhe gratë e goditura gjatë luftës. Ligji është i mirë,mirëpo gratë që kanë qenë pre e dhunës seksuale, kanë paragjykime ta pranojnë këtë.
Anëtaret e Bordit u angazhuan edhe për një përfaqësim më të denjë të grave në pozita udhëheqëse, në të gjitha institucionet e vendit.
- Advertisement -

MË TË FUNDIT