Grabovci: Bllokimi i Kuvendit, bllokim i shtetit

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ka bërë të ditur se në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit është votuar kërkesa e ardhur nga Qeveria e Kosovës që të mbahet një seancë e jashtëzakonshme për buxhetin e Republikës së Kosovës.

“Katër votuan pro dhe një përfaqësues i opozitës votoi kundër. Seanca e jashtëzakonshme pritet të mbahet nesër”, ka thënë Grabovci.

Në mbledhjen e kryesisë sipas tij, u diskutua edhe iniciativa e kryetarit të Kuvendit ku i propozoj opozitës dhe kryesisë që të kenë një seancë me një pikë të vetme – demarkacionin.

“Demarkacioni ende nuk është dokument, ende deputetët nuk e kanë marrë këtë marrëveshje zyrtarisht. Duhet ta marrin këtë marrëveshje dhe ta qesin në diskutim, të debatohet rreth saj”, ka thënë Grabovci.

Sipas tij, është e drejtë e deputetëve që për një shqetësim të thirret një seancë e veçantë, e këtë gjë opozita nuk e ka shfrytëzuar.

“Bllokimi i Kuvendit nënkupton bllokim të shtetit. Kemi bërë një kërkesë në emër 82 deputetëve nënshkrues që mos të vie deri tek një gjendje e tillë – një eskalim të dhunës. Çdo gjë që kemi bërë deri më sot e kemi bërë duke qenë të bindur që po i shërbejmë shtetit. Ne kërkojmë që të respektohen ligjet, të na krijohen mundësitë t’i shprehim vërejtjet/pakënaqësitë tona në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Nuk është Kryesia dhe kryetari që duhet të ndërmarrin masa, por organet kompetente”, ka thënë ndër të tjera Grabovci. /Telegrafi/

- Advertisement -

MË TË FUNDIT