Volkswagen ka prezantuar gjeneratën e tetë të modelit Golf.

Me gjeneratën e tetë, gjiganti gjerman hyn në treg për të rivalizuar BMW Serinë 1 dhe Ford Focusin.

Shitjet do të nisin në shkurt të 2020-s, me çmim që zyrtarisht nuk dihet, por porositë e para do të dalin tek në muajin prill.

Dizajni dhe interieri

Nga jashtë, ndryshimi më i madh për dallim nga gjenerata e shkuar, vjen në pjesën e përparme të modelit. Dritat më të holla bëjnë dallimin e madh. Në pjesën e pasme, vetura mban dizajnin e zakonshëm, por me drita me dizajn të ri e me shenjën Golf të vendosur menjëherë nën logon VW. Edhe vetë Volkswagen ka pranuar se nuk e ka parë të arsyeshme të bëjë ndryshim drastik në stilin e automobilit, shkruan “Auto-Express”.

Ndryshimet më interesante janë bërë brenda. Për dallim nga gjenerata e shtatë, interieri te gjenerata e re dominohet nga ekranet. Ekrani i parë është 10-inç me sistemin informues që i mundëson shoferit të caktojë pozitën e opsioneve të caktuara. “Android Auto” dhe “Apple CarPlay” janë standarde si sisteme. Ekrani kryesor është 10.25 inç i vendosur në mes të automobilit. Të gjitha opsionet tani janë të ndjeshme në prekje, transmeton Koha.net.

Motorët dhe hibridët

Sikurse edhe në të kaluarën, Golfi është krijuar në platformën e njohur të Grupit Volkswagen, “MQB”. Golfi i ri është pothuajse identik në madhësi me veturën e shkuar.

Volkswagen Golf 8 vjen në katër versione me motorë benzinë dhe në dy me dizelë. Te benzinët vijnë modelet me motor 1.0-litërsh me 90 apo 110 kuajfuqi. Më pas janë modelet 1.5-litërsh me 130 apo 150 kuajfuqi. Motorët dizelë, 2.0-litërsh vijnë me 115 apo 150 kuajfuqi. Secili prej këtyre modeleve johibride vjen me marsh manual me gjashtë shpejtësi si standard. Versioni automatik konsiderohet si shtesë për modelet dizelë.

Versioni tërësisht elektrik nuk do t’i përshtatet Golfit, sepse ai do të ruhet për familjen “ID”. Megjithatë, janë disa versione hibride të pranishme. Sistemi elektrik me 48 volt shton deri në 16 kuajfuqi për versionet hibride. Ky version kombinohet me shumicën e motorëve që janë në versionet “tradicionale”.

Nga lansimi, Golfi më i veçantë është versioni GTE. Ai do të ketë sistemin plug-in hibrid me 148 kuajfuqi, me motor 1.4-litërsh benzinë, por me motorin elektrik në kombinim ofrojnë 242 kuajfuqi, njëjtë sa Golf GTI.

Volkswageni ka konfirmuar se modelet e veçanta GTI dhe R do të vijnë më vonë, duke mos konfirmuar detaje të tjera.