Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë që është e domosdoshme që “qeveria e re e Kosovës të heqë urgjentisht të gjitha ndalesat dhe bllokadat për mallrat dhe shërbimet në përputhje me marrëveshjen e CEFTA-s dhe standardet evropiane”.

Sipas mediave serbe, Gjuriq gjatë një takimi me ambasadorët e Gjermanisë dhe Francës në Serbi, Thomas Schieb dhe Jean-Louis Falconi, ku ka kërkuar nga autoritetet kosovare “të ndërmarrin hapa të qartë dhe të sinqertë drejt zbatimit të marrëveshjeve të arritura në dialogun e Brukselit”.

“Drejtori i Zyrës për Kosovë shprehu besim se Lista Serbe do të jetë një element konstruktiv në qeverinë e re në Prishtinë dhe se sinqerisht do të punojë në pajtimin ndëretnik dhe mbrojtjen e interesave të popullit serb”, citohet të jetë thënë në një deklaratë të të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë./Gazeta Sinjali/