Linguistika shqiptare është sot në zi. Një nga figurat më të shqurara të saj,përkthyesi , studiuesi dhe gjuhëtari i njohur shqiptar Petro Zheji është ndarë nga jeta mbrëmjen e djeshme në moshën 86- vjeçare.
I lindur në Tiranë më 1929, Petro Zheji që në moshë fare të re, u shqua për një talent të rrallë në njohjen dhe zotërimin e gjuhëve të huaja.
Poliglot që njihte me themel shqipen dhe filozofinë e saj, njihte e zotëronte deri në rrënjë edhe gjuhën italiane, frënge, angleze, spanjolle, gjermane, ruse, hebraishten, sanskritishten e vjetër, greqishten e vjetër dhe latinishten.
Studiuesi që me veprat e tij, gërmoi në rrënjët e gjuhës shqipe, për të vërtetuar teorinë se krahas gjuhëve të vjetra e të reja, shqipja kryeson që në lashtësi, ka qenë prezent për publikun me dy veprat e tij : “Libri i aforizmave” “Shqipja dhe Sanskritishja” me dy vëllime.
Petro Zheji, krahas studimeve gjuhësore, do të kujtohet si mjeshtri i përkthimit, që përmes penës së tij shumë vepra botërore folën shqip: Ndër të tjerash “Ringjallja” e Leo Tolstoit, Vëllimi i dytë i kryeveprës “Don Kishoti” i Servantes, “Vitet e zemërimit” – John Steinbeck; “Zoti President” – Migel Asturias; “Galileo Galilei” – Bertold Breht.
- Advertisement -