Gjimshiti ka disa fjalë për pranimin e Kosovës

Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti me interesim të madh po e përcjellë kongresin e UEFA-s.

Në një prononcim për Telegrafin, anëtari i skuadrës italiane ka uruar pranimin e Kosovës me të drejta të plota në UEFA.

“Jam duke e ndjekur me vëmendje të madhe kongresin e UEFA-s dhe shpresoj që Kosova më në fund ta marr lajmin e madh për pranim më të drejta të plota”, tha Gjimshiti për Telegrafin.

“Kosova dhe futbolli i saj meriton të dalin nga izolimi. Aty ka shumë talente dhe duhet që edhe atyre t’iu hapen dyert për Evropë”.

“Përfaqësuesja e Kosovës ka shumë lojtarë të talentuar dhe duhet të jenë të barabartë me të gjitha përfaqësueset evropiane dhe botërore”, shprehet Gjimshiti për Telegrafin.

Tutje ai ka thënë se pranimi i Kosovës është festë e madhe për gjithë shqiptarët anë e mbanë botës.

“Po besoj se do të pranohet, do të jetë një festë e madhe për gjithë shqiptarët anë e mbanë botës”, përfundoi Gjimshiti prononcimin e tij për Telegrafin.

Kujtojmë se mbrojtësi fantastik i Kombëtares shqiptare mbrëmë debutoi me Atalantën në Serie A. /Telegrafi/

- Advertisement -

MË TË FUNDIT