Gjermania vazhdon izolimin, Merkel thotë se kjo pranverë do të jetë ndryshe nga e kaluara

Gjermania ka vendosur që ta zgjasë afatin e izolimit deri më 28 mars, por disa masa do të lehtësohen, përfshirë lejimin e hapjes së bizneseve në rajonet me shkallë të ulët të infeksionit.

Pas rreth nëntë orëve të bisedimeve, kancelarja Angela Merkel dhe udhëheqësit rajonalë të 16 shteteve gjermane u pajtuan të mërkurën për zgjatjen e afatit të izolimit, shkruan France24.

Pas thirrjeve kundër vazhdimit të izolimit, disa masa u lehtësuan. Shumë nxënës të shkollave fillore u kthyen në banka javën e kaluar. Të hënën u hapën sallonet e floktarëve.

Të mërkurën, Merkeli dhe liderët rajonalë caktuan një plan të ndarë në faza që lejon disa lehtësime të mëtejme të masave. Gjermania ka pushtet mjaft të decentralizuar dhe rajonet kanë të drejtë që të vendosin vetë për masa të caktuara.

“Këta duhet të jenë hapa drejt hapjes por njëkohësisht hapa që nuk na kthejnë prapa. Ka shumë shembuj të një vale të tretë dramatike në Evropë”, tha kancelarja Merkel.

Ajo u zotua se pranvera e këtij viti do të jetë ndryshe nga pranvera e vitit të kaluar.

Shumica e dyqaneve në Gjermani kanë qenë të mbyllura nga 16 dhjetori. Restorantet, baret dhe qendrat sportive janë mbyllur nga 2 nëntori.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT