Afër 60 persona kanë arritur sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” përmes një fluturimi të veçantë nga Gjermania.
Nga ta kanë qenë 4 familje ndërsa të tjerët kanë qenë kryesisht individë.
Në përgjithësi këta kanë qenë migrantë të cilët janë larguar nga Kosova kohëve të fundit në kërkim të një jete më të mirë.
Njëra nga ta është edhe Xilaje Isaku nga Suhareka, e cila së bashku me burrin dhe katër fëmijët e saj që nga tetori kanë migruar në mënyrë ilegale për në Gjermani. Ajo ka treguar se përmes Hungarisë kanë depërtuar në Gjermani, por, rruga deri atje ka qenë mjaftë e vështirë. Ajo thotë se nuk ka dëshirë të kthehet përsëri më atje.
“Kemi shkuar deri atje në Hungari me autobus, pastaj, prej Hungarisë e kemi gjetur një lidhje për në Gjermani. Kemi kërkuar azil dhe kemi ndenjur. Jo nuk kam dëshirë më të shkoj…po shkuam se kishe më mirë atje jeta, për fëmijët për neve se këtu pa punë pa asgjë. Mu më erdhi letra për tu kthyer, për të ardhur në Kosovë dhe u ktheva vullnetarisht”, tha Isaku.
Edhe Gafurr Kabashi, nga komuna e Prizrenit, kishte migruar së bashku me familje në Gjermani rreth një viti më parë, për të kërkuar një jetë më të mirë. Ai thotë se po t’i jepet mundësia do të migroj përsëri.
“Po kthena prapë, qe një vjet e një muaj jam në Gjermani, na kanë pritë mirë, kështu kushtet e mira kanë qenë, por, ka ardhur momenti dhe na kanë kthyer… çështja ekonomike që është, që nuk ka të ardhme, papunësi e madhe ajo është arsyeja”, tha Kabashi.
Rreth 50 mijë migrantë janë larguar deri më tani nga Kosova muajve të fundit, por tash e një kohë, vendet në të cilat kanë shkuar këta migrantë kanë filluar t’i kthejnë prapa.
- Advertisement -