Helmimi i qindra qytetarëve në Deçan ka bërë që kjo komunë të shpallë gjendje emergjente pas helmimit të qytetarëve me ujë të pijshëm.

Njoftimin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme e ka bërë vet kryetari i Komunës, Bashkim Ramosaj, duke shtuar se gjendja e jashtëzakonshme vlen për të gjithë territorin e komunës.

Po ashtu, ai ka treguar se janë ndarë 5 mijë euro për nevojat e terapisë së qytetarëve, të cilët ishin helmuar ditë më parë.

“Me propozimin tim, sot kemi mbajtur takim emergjent me anëtarët e Komitetit për Politikë dhe Financa, të cilët unanimisht votuan për ndarjen e shumës në vlerë prej 5,000 euro, të cilat do të dedikohen për nevojat e terapisë së qytetarëve të cilët po përballen me epideminë e shfaqur ditëve të fundit në Komunën e Deçanit”, njofton Ramosaj.

Me qindra qytetarë që nga e shtuna kanë kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF-në “Adem Ukëhaxhaj” në këtë komunë, mbi dyshimet se janë helmuar nga uji i pijshëm.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj në një konferencë për media të hënën tha se janë duke bërë përpjekje maksimale për gjetjen e shkaqeve të këtij helmimi dhe deri më tani të gjitha dyshimet janë vetëm hipoteza.

Sipas tij, kanë dyshime edhe për një skemë të qëllimshme. Ai nuk elaboroi për këtë, por tha se duhet t’i lihet organeve të hetuesisë.

Ndryshe, pas helmimit të qindra qytetarëve, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar se sot do ta vizitojë Deçanin. /Telegrafi/