Nënkryetari i Komunës, Safet Kamberi, ka pritur në një takim nënkryetarin e komunës së Leposaviqit, Xhemshit Bekteshi dhe atë të Zveçanit, Florim Kelmendi, me të cilët ka biseduar për situatën e përgjithshme në këto tri komuna, me theks të posaçëm në realizimin e projekteve me interes të përbashkët për qytetarët e të tri komunave, e sidomos për shqiptarët që jetojnë dy komunat veriore të administruara nga serbët.
Të tre nënkryetarët kanë konstatuar se gjendja e përgjithshme në këto tri komuna ka një tendencë të përmirësimit dhe se lëvizja dhe qarkullimi i lirë i shqiptarëve në këto hapësira, sa i përket aspektit të sigurisë, është më i mirë se përpara, por larg asaj çfarë do të duhej të jetë, – thuhte në një komunikatë nga ky akim.
Në bisedën e tre nënkryetarëve, kanë dominuar problemet e shqiptarëve që jetojnë në lagjet veriore të komunës së Mitrovicës edhe në komunat Leposaviq e Zveçan. U konstatua se problemet e punësimit, transportit, shkollimit, shëndetësisë e të tjera janë mjaftë të theksuara dhe se në këtë drejtim nevojitet një përkujdesje shumë më e madhe e institucioneve qendrore, sidomos të ministrive përkatëse.
Nënkryetarët Kamberi, Bekteshi e Kelmendi, biseduan edhe për mundësinë e realizimit të projekteve më rëndësi të jashtëzakonshme për shqiptarët që jetojnë në veri të vendit, e që janë hapja e rrugëve alternative për lidhjen e tyre me Mitrovicën, në rastet kur rrugët kryesore po bllokohen nga ekstremistët serbë, por jo vetëm për këtë, pasi që këto rrugë mundësojnë edhe lidhjen e shqiptarëve me rajonin e Shalës së Bajgorës e më gjerë.
Fjala është për projektin e rrugës Bistricë-Dedi-Batahir-Magjerë-Melenicë-Stantërg, që do të lidhë komunën e Mitrovicës me atë të Leposaviqit dhe atë Zveçan-Zhazhë-Vllahi-Melenicë-Stan Tërg, që lidh komunën e Zveçanit me rajonin e Shalës së Bajgorës të komunës së Mitrovicës.
Kamberi, Bekteshi dhe Kelmendi u dakorduan që për realizimin e këtyre projekteve të bisedojnë në komunat e tyre dhe më pastaj, bashkërisht të shkojnë në ministritë përkatëse për të kërkuar mbështetjen e tyre për realizimin e projekteve.