Gjendja epidemiologjike në Malishevë, e qetë

Gjendja aktuale epidemiologjike në territorin e Komunës së Malishevës, paraqitet e qetë dhe deri më tani nuk është regjistruar asnjë rast i infektimit me Ethe Hemorragjike Krime Kongo (EHKK). Por pavarësisht kësaj situate,  gjendja do të vazhdoj të jetë e mbikëqyrur rreptësisht, duke ju përmbajtur udhëzimeve të dala nga strategjia për luftimin dhe parandalimin e EHKK, kurse faktorët e që kanë ndikuar në këtë përmirësim, janë fushatat e vazhdueshme, vetëdijesues, dezinsketimi dhe repelimi i kafshëve.

Kështu ka thënë për Zyrën për Informim Publik, drejtori komunal për shëndetësi dhe anëtari i shtabit komunal për luftimin dhe parandalimin e EHKK, Hajdin Berisha, i cili ka konfirmuar se deri më tani nuk ka asnjë rast të infektuar dhe ky është një lajm i mirë, pasi jemi në vitin e dytë që nuk janë regjistruar raste të infektimit dhe shpresohet të përmbyllet viti i tretë radhazi pa raste të vdekjeve nga ethet hemorragjike.

“Aktualisht gjendja epidemiologjike, në Komunën e Malishevës, paraqitet e qetë. Gjithsesi gjendja është duke u monitoruar në kontinuitet. Numri i thumbimeve ka arritur në 836 gjithsej, ku prej tyre 60 raste janë nga komunat tjera, si: Klina, Drenasi, Rahoveci, Suhareka dhe të tjera. Pra, nga Komuna jonë janë të regjistruara 776 raste të thumbimeve nga rriqrat. Përkundër rasteve të dyshimta të cilat janë udhëzuar për në Klinikën Infektive, nuk është shënuar asnjë rast i prekur nga virusi i EHKK”, ka thënë Berisha.

Ndërsa sa i përket faktorëve që kanë mundur të ndikojnë në krijimin e kësaj situate të qetë, drejtori Berisha, tha se faktor  “në radhë të parë është vetëdijësimi i qytetarëve që është arritur përmes mbajtjes së ligjëratave, shpërndarjes së fletëpalosjeve, vendosje të posterëve në vendet publike. Faktorë tjetër që kanë ndikuar, janë aktivitetet e shumta si në dezinsektim të zonave endemike, pastaj aktiviteti i repelimit të kafshëve, ku aktualisht jemi në përfundim të ciklit të tretë si dhe  masa tjera, si ngritja e nivelit të gatishmërisë në QKMF dhe të tjera”.

“Po besoj që është e nevojshme që masat të cilat jemi duke i ndërmarrë aktualisht të përforcohen edhe më tepër, duhet të intensifikohet niveli i bashkëpunimit në mes të Komunës dhe nivelit qendror, duke aluduar në Këshillin Ndërministror për Parandalimin dhe Luftimin e EHKK, bashkëpunim i cili nuk ka munguar deri më tani, si dhe mund të  ketë risi apo elemente të reja që mund të implementohen pasi që të jenë futur në Planin Strategjik për Parandalimin dhe Luftimin e EHKK” u shpreh Hajdin Berisha, drejtor për shëndetësi dhe anëtar i shtabit komunal për parandalimin e EHKK.

Pavarësisht kësaj situate të qet, drejtori Berisha mendon se “edhe për një kohë nuk do të lirohemi nga kjo problematikë dhe masat duhet të vazhdojnë të zbatohet me përpikëri”.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT