Gjendja dhe pozicioni i shqiptarëve në realitetin e ri në Maqedoni

    Nga VEGIM RASHITI
    Të ecësh pak rrugëve të Shkupit, sheh dhe kupton shumëçka. Rrugët dhe lagjet e mbipopulluara me shqiptarë (kulm mbi kulm, oborret e përbashkëta të shumë shtëpive njëherësh) tashmë janë pothuajse boshe e të lëna shkretë. Dikur (jo shumë vite më herët), këto lagje shquheshin për gjallërinë që kishin, madje të shëtisje këtyre rrugëve orëve të vona të natës, fitoje përshtypjen se është mesi i ditës. Sot të ecësh këtyre lagjeve sheh një pamje krejt tjetër: rrugë të këqija e të parregulluara, shtëpi të braktisura nga njerëz që ikën në kërkim të një jete më të mirë, papunësi. E mbi të gjitha, te ata që kanë mbetur shihet një dëshpërim, pesimizëm dhe humbje e shpresës për një përmirësim të gjendjes.
    Sigurisht, nëse do të thoshim se se gjendja ekonomike e shqiptarëve vite më parë ishte më e mirë se kjo e sotmja, do të gaboheshim, por ajo që shqiptarët e Maqedonisë e kishin më parë e që sot mungon janë padyshim besimi dhe optimizmi.
    Sot të arrish diçka si shqiptar në sferën profesionale apo të punësohesh në Maqedoni, patjetër duhet të jesh pjesë e partisë shqiptare në pushtet. Në anën tjetër, sektori privat i shqiptarëve është i vogël dhe i pa mjaftueshëm për t’i pranuar e punësuar të gjithë kuadrot e reja, sepse edhe këtu, shumica e sektorit privat (në fushën e biznesit dhe punësimit) i takon maqedonasve, ndonëse përqindja mes këtyre dy nacionaliteteve nuk dallon shumë. Edhe pse as Kosova e Shqipëria nuk mund të mburren për nga aspekti i punësimeve dhe rehabilitimit të të afërmve në sektorin publik, megjithatë këto dy të fundit kanë një sektor privat më të zhvilluar në të cilin sadopak kuadrot e reja kanë një mundësi për ta gjetur veten e për t’u punësuar diku.
    Andaj, mungesa e hapësirës për shqiptarë si në sektorin publik ashtu edhe atë privat, monopolizimi edhe i asaj pak hapësire që ekziston, krimet, aferat korruptive, kanë bërë që shqiptarët në këto troje të mos shohin ndonjë rrugëdalje.
    Madje, megjithëse të shumtë në numër, shqiptarët nuk janë faktorë dhe injorohen nga çdo lëvizje që ndodhë në Maqedoni. Këtë më së miri e tregon edhe skandali i fundit i përgjimeve përmes së cilës opozita maqedonase synon të vijë në pushtet. Shqiptarët në vend se të organizohen dhe të fitojnë terren në një gjendje të re që po krijohet në Maqedoni, ata vazhdojnë të jenë jashtë çdo kalkulimi. Madje, janë vet shqiptarët që janë bërë pjesë e skandaleve. Këtu nuk bëhet bëhet fjalë vetëm për partinë shqiptare në pushtet që është pjesë e koalicionit qeverisës, por përgjimet tregojnë se në skandale të shumta është e zhytur edhe partia shqiptare opozitare e cila po ashtu kontrollohet tërësisht nga Qeveria e Maqedonisë. Në këso raste, shoqëria civile do të duhej të ishte ajo që gëzon më shumë respekt, por fatkeqësisht, edhe pjesëtarët e kësaj shoqërie i kanë shfrytëzuar pozicionet e tyre në shoqërinë civile vetëm për të përfituar për t’u bërë pastaj pjesë e Qeverisë.
    Përfitimi me çdo kusht dhe dhënia përparësi interesave individuale e partiake para atyre të kombit (veçanërisht në Maqedoni, ku shqiparët luftohen më shumë se kudo) kanë bërë që shqiptarët ta humbin besimin në liderët e tyre, apo më mirë të themi e kanë kuptuar se deri më tash nuk kanë pasur fare liderë. Madje edhe më keq se kaq ata e kanë humbur tërësisht shpresën se kjo gjeneratë e politikanëve  ndonjëherë do t’i përfaqësojë shqiptarët me dinjitet ashtu siç e meritojnë.