Gjashtë vdekjet e dyshimta në QKUK të pacientëve me COVID -19

Ka vdekur në mbrëmjen e së dielës të 5 korrikut në Klinikën Infektive. E ndjera, 73-vjeçarja nga Kaçaniku ishte e prekur me Covid-19 dhe që disa ditë po trajtohej në Klinikën Infektive të QKUK-së. Por vdekja e saj po konsiderohet si e dyshimtë nga ana e organeve të hetuesisë kosovare. Ka dyshime se kjo paciente e ndjerë bashkë me 5 persona të tjerë të infektuar me Covid-19, kanë vdekur si pasojë e mungesës së oksigjenit derisa po trajtoheshin në QKUK, shkruan Express.

Por kjo grua u varros vetëm gjatë ditës së djeshme nga rrethi i ngushtë familjar. Asaj iu bë autopsia e cila pritet të zbardhë rrethanat e vdekjes së kësaj paciente e pesë të tjerëve.

Në Insitutitin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, gjatë ditës së sotme do të kryehen procedurat e autopsisë. Kështu bëjnë me dije, burime të Express brenda IML’së.

“Gjatë ditës së sotme do të përfundohen të gjashtë rastet që i kemi për obduksion me Covid-19”, kanë deklaruar për Express burimet renda Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Të dielen në mëngjes në Klinikën Infektive të QKUK-së ndodhën disa vdekje të dyshimta të pacientëve të cilët ishin të shtrirë si të konfirmuar me Covid-19. Në mesnatën në mes të shtunës dhe së dielës tre pacientë në interval të shkurtë kohor ndërruan jetë. Duke e parë situatën, mjeku kujdestar, kishte lajmëruar policinë. Por një veprim nuk po duket i drejtë për drejtuesit kryesorë të institucioneve të shëndetësisë kosovare.

Sipas ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, e ish-drejtorit të SHSKUK-së, Basri Sejdiu, mjeku i cili kishte qenë kujdestar atë natë kur ndodhën këto vdekje në Infektivë është dashur së pari që ta lajmërojë menaxhmentin e QKUK-së, respektivisht Klinikës Infektive.

“E dijmë që është kohë e pandemisë. Vdekjet po ndodhin edhe në regjion. Ajo që ka ndodhë të dielën. Mjeku i cili ka qenë kujdestar ka dyshu, tre pacientë ose katër kanë vdekur në periudhë të afërt kohore. Vdekje atë natë ka pasur edhe në Klinika të tjera. Ditëve të fundit klinikat janë mbushur me pacientë në gjendje të rëndë. Mjeku ka dyshu që diçka ka ndodhë, ose me oksigjen ose me naj aparaturë tjerë. Ai ka thirrur policinë, e që në fakt mendoj që ai është dashur që ta thërasë menaxherin, ose dy-tre kolegë të tjerë që t’i ndihmojnë”, ka thënë Sejdiu sot në një konferencë për media.

Ai sqaroi se të gjitha pajisjet e oksigjenit por edhe ato respiratore, kanë qenë në rregull atë natë në QKUK.

“Dyshimi që mos ka pas ndonjë rjedhje të aparaturave është konstatu që në asnjë moment nuk ka pasur rënie të tensionit, presionit të oksigjenit. Të gjithë ventilatorët tregojnë që ka pasur presion normal të oksigjenit”, tha Sejdiu.

E policia e Kosovës tashmë I ka nisur hetimet për këtë cështje.

“RASTI NË KLINIKËN INFEKTIVE. Prishtinë 05.07.2020 – 01:00. Raportohet se në Kliniken Infektive në Prishtinë kanë vdekur gjashtë persona që të gjithë kosovar. Me vendim të prokurorit, trupat e pa jetë të viktimave dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore për Obduksion. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës./GazetaExpress/

- Advertisement -

MË TË FUNDIT