Kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, ka thënë se marrëdhëniet e Kosovës me Greqinë ka pësuar ngritje të lehtë, derisa ka shtuar se po priten lajme të mira nga ky shtet.

Gërvallanë një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës (RTK) ka thënë se nuk mund të precizojë kohën se kur do vijnë këto lajme.

“Me Greqinë jemi në rrugë të mirë për konsolidim të përfaqësimit tonë. Kemi pasur një ngritje të lehtë të këtij përfaqësimi dhe jemi në bisedime e sipër që këtë përfaqësim ta forcojmë dhe konsolidojmë edhe më shumë. Unë nuk mund të them as data, as muaj e as javë, sepse nuk është serioze të flasim për gjëra që mund të ndodhin në të ardhmen duke spekuluar me data se kur mund të ndodhin. Por mund të ju them se jemi në një rrugë tepër të mirë me Greqinë. Së shpejti do të kemi lajme të mira nga Greqia”, tha ajo.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka thënë se po bashkëpunon edhe me shtetet tjera anëtare të BE-së e të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Jam takuar edhe me homologë të tjerë që ndodhen në këtë 5 e BE- së e që ende nuk na kanë njohur. Natyrisht se unë ata nuk i kam vënë me shpatulla për muri duke iu thënë që ju duhet të na njihni, por kam apeluar që njohja do të ishte një hap shumë i rëndësishëm në rrugën tonë drejt BE-së. Në të njëjtën kohë kam ofruar që të kemi marrëdhënie bilaterale në të gjitha fushat e tjera. Pasi vlerësojmë se pasi të kemi marrëdhënie të konsoliduar në fusha tjera dikur mund ta hapim edhe temën e njohjes e cila do të ketë sukses. Unë nuk dyshoj se do të kemi njohje nga këto shtete por nuk mund të them kur. Por jemi në rrugë të mbarë”, shtoi ajo.