Një ditë pasi Kosova dhe FSK’ja u injoruan plotësisht nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhacka, në një organizim ku u nderuan të gjitha ekipet e shteteve të tjera që ndihmuan Shqipërinë për tërmet, ministri nga Kosova në Qeverinë Rama, Gent Cakaj ka postuar një shkrim përmes së cilit falëndëron FSK’në.

Ministri në detyrë për Punë të Jashtme dhe Evropë, Gent Cakaj, ka shkruar se Forca e Sigurisë së Kosovës meriton mirënjohjen më të vecantë për ndihmën që ia dha Shqipërisë që nga goditja nga tërmeti nga i cili mbeten 50 viktima.

Postimi vjen një ditë pas reagimeve të shumta për shkak se Xhacka postoi një album fotografish me ekipet e shpëtimit të shumë vendeve, por aty mungonte FSK’ja dhe madje mungonte vetëm flamuri i Kosovës.

Në postimin e ministres shqiptare nuk ishte përmendur askund Kosova.

Shkrimi i plotë i Cakajt:

Mes konsideratave më të larta e falenderimeve më të mëdha për të gjitha shtetet e organizatat që qëndruan afër Shqipërisë që prej orëve të para pas tërmetit, përtej çdo mëdyshje, Forca e Sigurisë së Kosovës meriton mirënjohjen më të veçantë për përkushtimin e pakrahasueshëm, humanizmin e lartë e atdhedashurinë më të thellë dhe profesionalizmin mbresëlënës

🇦🇱🤝🇽🇰!

Shërbimi i tyre këto ditë në Shqipëri do të kujtohet gjithmonë me vlerësimin më lartë!

Në fakt, gjatë këtyre ditëve me vështirësi të shumta e me dhimbje të pafundme, e gjithë Kosova ka dhënë shembullin e një solidariteti të paparë njerëzor dhe ka dëshmuar absolutisht trajtën më të thellë të bashkëndjenjes kombëtare.

Solidariteti e mbështetja e Kosovës kësaj rradhe mbeten frymëzues përtej asaj çka mund ta shprehë rëndom gjuha 🙏!