Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve, Petrit Kllokoqi, është deklaruar pas paralajmërimit se të martën do të protestohet para Qeverisë së Kosovës.

Kllokoqi ka shkruar në Facebook se protesta do të mbahet për të kundërshtuar masat anti-Covid që janë në fuqi.

“Nuk është protestë me e ndërru qeverinë!!! Është protestë me ja u çel sytë e veshët, që dikush qe 450 ditë ka qenë i mbyllur…E, dikush tjetër qe 450 ditë duke punuar me kufizime e dënime…Dikush qe 450 ditë mezi e siguron kafshatën e bukës. Nuk kanë efekt më masat, përderisa rajoni e bota po hapen, nuk ka më efekt ne këtu me u ulë nga 4 persona në tavolina, e Shqipëria e Mali i Zi me mbajt festivale me 4000 persona!”, ka shkruar Kllokoqi.

Ai ia ka përmendur ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, kohën kur në vend kishte masa më të rrepta dhe qytetarët dilnin sipas numrit të letërnjoftimit, derisa thotë se partia e tij protestoi në shesh me 5 mijë persona.

“Nuk është e drejt nga ana e Ministrit të Shëndetësisë që gjatë muajve të parë nana jem t’ka ngu e ka dal me numër të letërnjoftimit e ty, kur pak t’u kall bishti, i ke mbledh 5.000 persona në sheshe e bërë protestë. Nuk jem t’u dal me dëmtu pronën e shtetit asnjëherë , që me taksën tonë të babës e gjyshit e ndërtuam … Jem t’u dal në një protestë (EVENT pakënaqësie) që e kemi edhe me të drejtë kushtetuese”, ka shkruar Kllokoqi.

Kllokoqi thotë se gastronomët nuk do t’i pranojnë më masat anti-COVID të vendosura nga Qeveria e Kosovës.

“Masat nuk ua pranojmë më, me i lëshu veç për fushat politike, MASAT LËSHONI SOT kur jemi në prag të verës , ku jemi me 1% raste në ditë, kur po e presim Diasporën. Ministër, kemi bërë deklaratë të përbashkët që nëse rastet bien, orari zgjatet masat lehtësohen e plani për verën përgatitet. JU NA TRADHTUAT, JO NE. Ne jemi prapa edhe me vaksinim, shkaku juaj, jo i yni. O Çelma verën, o e çelem vet”, ka shkruar Kllokoqi.

Ndryshe, gastronomët kanë paralajmëruar se të martën do të protestojnë para Qeverisë së Kosovës, për të shprehur pakënaqësinë e mos shqyrtimit të masave dhe mosplanifikimit për hapje gjatë sezonit veror, pasi sipas tyre, kjo po i rrezikon bizneset dhe punëtorët që të ikin në vende tjera./GazetaExpress/