Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Kujtim Gashi në një intervistë për “Front Online” ka kritikuar kryeministrin Albin Kurtin për qëndrimet e tij për heqjen e taksës ndaj produkteve serbe.

Gashi ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka ndërruar disa herë qëndrime sa i përket taksës.
Heqjen e taksës duke e zëvendësuar me reciprocitet, Gashi e ka cilësuar si një dorëzim të Kurtit para Listës Serbe.

“Në intervista ka thënë po e heqim taksën dhe po vendosim reciprocitet. Është vetëm një dorëzim para Listës Serbe të cilën e ka në kuadër të Qeverisë dhe padyshim për t’u dukur sa ma mirë para miqve ndërkombëtar, pra janë ndryshime të shpejta të këtij Kryeministri i cili në bazë të premtimeve të shumta i ka fituar zgjedhjet”, ka thënë Gashi për “Front Online”.

Ai qëndrimin e PDK-së karshi taksës e arsyeton me sjelljet jo të mira që shteti serbë i ka bërë ndaj Kosovës, duke ia pamundësuar anëtarësimin në shumë organizata ndërkombëtare.

“Ne në fakt nuk kemi kërkuar që mos të hiqet taksa, ne kemi vendosur në Qeverinë e kaluar taksë Serbisë për shkak të sjelljeve jo të mira karshi Kosovës sidomos në arenën ndërkombëtare, në anëtarësimin e Kosovës në mekanizma të ndryshëm, pra pengesat që Serbia ia ka bërë Kosovës dhe si shenjë ndaj tyre ne kemi vendosur taksën në Qeverinë e kaluar tani padyshim që është në duart e kësaj Qeverie se a dëshiron taksën ta lë në fuqi ndaj shtetit serb apo dëshiron ta heq”, ka deklaruar Gashi. /FrontOnline/