Gani Geci dyshohet për tentim vrasje ndaj Azem Sylës

Dyshimet e policisë se Gani Geci kreu tentim vrasje gjatë incidentit me Azem Sylës kanë mbetur në sirtarët e prokurorisë së Mitrovicës.

KALLXO.com ka zbuluar se disa javë pas incidentit në qendër të Skenderajt ku të përfshirë ishin dy ish deputetët Gani Geci e Azem Syla, Policia e Kosovës ka ngritur një kallëzim penal ndaj Gani Gecit me pretendimin se kreu veprën penale të vrasjes në tentativë ndaj Azem Sylës.

Kallëzimi penal, sipas zyrtarëve të prokurorisë së Mitrovicës, vazhdon të mbetet i pahetuar nga prokurorët ndërsa si arsye përmendet numri i vogël i prokurorëve.

“Në prokurorinë tonë ka kallëzim penal ndaj Gani Gecit për vrasje në tentativë e ku i dëmtuar është Azem Syla”, ka thënë Shyqeri Syla, kryeprokuror i Mitrovicës.

Ai ka shtuar se për këtë rast nuk është nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve për shkak të numrit të vogël të prokurorëve.

I kontatkuar nga KALLXO.com Ndrecë Dodaj, avokat i Gani Gecit, ka thënë se nuk janë në dijeni për ekzistimin e një kallëzimi të tillë penal.

“E di që Gani Geci është marrë në pyetje por nuk jemi njoftuar të ketë kallëzim penal”, theksoi Dodaj.

Gani Geci dhe Azem Syla, në tetor të vitit 2013, gjatë fushatës zgjedhore, kishin pasur një konflikt verbal në qytetin e Skenderajt.

Incidenti kishte ndodhur pas përfundimit të një tubimi parazgjedhor, kur Syla kishte kaluar afër lokaleve të vëllezërve Geci.

Në momentin e kacafytjes ishte dëgjuar edhe një e shtënë e armës.

Askush nuk e shpjegoi së kush kishte shtënë me armë atë ditë, ndërsa familjarët e Gani Gecit patën deklaruar së e dinë personin që e kishte bërë këtë.

Ndërsa Azem Syla nuk ishte prononcuar asnjëherë për këtë rast duke e lënë atë në dorë të drejtësisë.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT