Futbollistit kosovar s’i japin vizë, e humb ndeshjen e Europa Leagues

 

Mesfushori i skuadrës kurbinase të Laçit, Argjent Mustafa, nuk ka udhëtuar drejt Bakusë dhe shërbimet e tij do t’i mungojnë trajnerit Armando Cungu për ndeshjen e kthimit ndaj azerëve të Interit.

Shkak për këtë është bërë pasaporta kosovare e 23-vjeçarit, pasi shteti i Azerbaixhanit nuk e njoh ende Kosovën si shtet, dhe për rrjedhim, nuk mund të pajisin me vizë edhe futbollistin Mustafa, ndonëse ai ishte pjesëmarrës në Europa League.

Mësohet, se autoritetet azere për këtë gjë kanë njoftuar edhe UEFA-n, por edhe klubin e Laçit për refuzimin e vizës të mesfushorit Argjent Mustafa, shkruan sportal.al.

Pas mungesës së malazezit Cetkoviç për shkak të dëmtimit, tani trajnerit Cungu në skuadër i shtohet edhe mungesa e kosovarit Mustafa, çka do ta detyrojë të ndryshojë planet e tij, për të mbushur boshllëqet në repartin e mesit të fushës së skuadrës laçiane.

Delegacioni kurbinas i klubit të Laçit është nisur sot në mëngjes nga aeroporti “Nënë Tereza” për të fluturar drejt Bakusë, kryeqytetit azer, ku mund të mbërrijë rreth orës 20:30, sipas orës lokale.

Të enjten, më 9 korrik, skuadra e Laçit do të luajë ndeshjen e kthimit për turin e pare të Europa League ndaj azerëve të Interit, e cila do të zhvillohet në orën 18:00 në stadiumin “Shafa” të Bakusë.

Ndeshja do të gjykohet nga një treshe gjyqtarësh kazake me Aleksandër Alijev, si kryesor. Takimi i parë ndërmjet Laçit dhe Inter Bakusë, i luajtur më 2 korrik në fushën e kurbinasve, ka përfunduar në barazim 1-1. /Zëri/

 

- Advertisement -

MË TË FUNDIT