Vetëvendosja po kërkon të shtyhen zgjedhjet lokale që tashmë janë përcaktuar të mbahen me 17 tetor të këtij viti, e për këtë kanë ‘angazhuar’ edhe Presidenten e Republikës së Kosovës Vjosa Osmanin të ftojë partitë dhe të bëjnë një gjë të tillë. Mirëpo, sipas opozitës dhe analistëve në vend, kjo nuk po bëhet siç po thonë nga VV’ja për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve por për shkak të frikës nga humbja, shkruan Gazeta Metro.

Idenë nga VV’ja për shtyerjen e zgjedhjeve e ka dhënë Glauk Konjufca, Kreu i Kuvendit.

“Nuk varet prej meje, por nëse unë do ta thoja mendimin tim personal, unë mendoj se zgjedhjet do të duhej të shtyheshin”, tha kryeparlamentari Glauk Konjufca, ani pse vitin e kaluar në vrullin e virusit nuk thoshte njësoj, dhe kërkonte me ngulm zgjdhje.

“Çu dil në zgjedhje! Çu dil në zgjedhje! Çohuni dilni në zgjedhje të katërtit dorë për dore, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, Fatmir Limaj. Të katërtit në podium! Çohuni përpara; përpara Albin Kurtit. Të katërtit qe i ftoj qëtu. Të katërtit bashkë dorë për dore, Albin Kurti vetë. Ju sfidoj. Dilni dorë për dore të katërtit bashkë edhe thuani i kemi 82 vota. Para qytetarëve, në vota, keni me e pa rezultatin”, kishte thënë Konjufca vitin e kaluar, duke kërkuar partitë të sfidoheshin.

Lexo edhe Kryekëshilltari i Vjosa Osmanit ‘u bie në qafë’ mediave, që raportuan për ftesën e presidentes për shtyrjen e zgjedhjeve

Në anën tjetër Osmani, ka ftuar partitë për të diskutuar lidhur me shtyrjen e zgjedhjeve, kërkesë e cila ka ardhur edhe nga Glauk Konjufca i Vetëvendosjes. E para e vendit ka thirrur një takim konsultativ me partitë në mënyrë që të diskutohet për shtyrjen e zgjedhjeve, gjithmonë me rekomandimin e IKSHPK’së.

Mirëpo, partitë politike janë kundër shtyerjeve të zgjedhjeve, dhe këtë ata po e shohin si frikë nga Albin Kurti dhe deputetët e tij për humbje, shkruan Gazeta Metro.

PDK’ja i është kundërpërgjigjur kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca për shtyrjen e Zgejdhjeve Lokale.

Faton Abdullahu, zëdhënësi i PDK-së tha, se si parti nuk janë që zgjedhjet lokale të shtyhen por të mbahen sipas rekomandimeve të IKSHPK-së.

“Ne, si Parti Demokratike e Kosovës, nuk jemi që zgjedhjet lokale të shtyhen. Ato duhet të mbahen në kohën kur janë planifikuar. Mirëpo, zgjedhjet e tetorit, nuk duhet të mbahen në mënyrë konvencionale, me tubime e grupime të njerëzve, por duhet që në mënyrë strikte të respektohen masat dhe rekomandimet e IKShPK”, ka thënë Adbullahu për

Poashtu, edhe nga LDK’ja nuk e duan këtë gjë, dhe e kanë kundërshtuar publikisht shumë zyrtar. Muhamet Hamiti nga Lidhja Demokraktike e Kosovës ashtu si kryetari i tij Lumir Abdixhiku ka dekalruar se partia e tyre nuk ka inetres t’i shtyejë zgjedhjet, dhe ai thekson se këtë po e kërkon veç Albin Kurti dhe deputetët e tij.

“Përveç VV’së askush nuk kërkon që të shtyhen zgjedhet. LDK’ja është kundër shtyrjes së zgjedhjeve për pushtetin lokal. Ato duhet të mbahen më 17 tetor 2021, siç janë shpallur”, ka thënë Hamiti për Metron.

Ndërsa, AAK ‘ja ka qëndrim parim që zgjedhjet lokale në Kosovë të mbahen brenda afatit ligjor të përcaktuar.

Shemsedin Dreshaj nga kjo parti i cili njëkohësisht me profesion është infektolog, tha se situata aktuale ma pandeminë në të cilën gjendet Kosova “nuk është aspak e lakmueshme, por që procesi zgjedhor duhet të bëhet duke i respektuar masat e përcaktuara”.

“Nuk janë zgjedhjet e para që mbahen në Kosovë. Kemi raste që janë organizuar gjatë pandemisë, si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, dhe asnjëri prej tyre nuk e kanë bërë ftesën për zgjedhje të mëvonshme, por është kërkuar të respektohen masat parandaluese, të kemi kujdes në përhapjen e virusit dhe masat për kujdes individual dhe kolektiv”, tha ai.

E, për shtyrejn e zgjedhjeve kanë reaguar njohësit e proceseve zgjedhore.

Albert Krasniqi nga Demokracia Plus dhe Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës janë shprehur kundër shtyrjes së zgjedhjeve, por sipas tyre mund të shkurtohet fushata zgjedhore apo të kufizohet lloji i aktiviteteve të fushatës.

“LVV paska hedhur në publik idenë e shtyrjes së zgjedhjeve lokale, me pretekstin se mund të përkeqësohet situata me pandeminë. Është mirë kur politikanët tregohen të ndjeshëm ndaj shëndetit të qytetarëve, por këtë ndjeshmëri nuk e kemi parë në zgjedhjet e 14 shkurtit kur ftonin qytetarët të merrnin pjesë në marshe masive të fushatës zgjedhore. Atëherë mund të jenë ndjerë më afër pushtetit. Sot, kur me gjasë numrat nuk po dalin mirë për zgjedhjet lokale, përnjëherë shqetësohen për shëndetin publik!”, shkruan Krasniqi në Facebook.

Ndërkaq, Eugen Cakolli nga KDI thekson se në Kosovë janë mbajtur dy palë zgjedhje në kohë pandemie dhe përvoja nga to tregon që ka fare pak të ngjarë që rritja e rasteve të ketë ndodhur si pasojë e ditës së zgjedhjeve, shkruan Gazeta Metro.

“Pse me i shty zgjedhjet?!

Kur në mars të vitit 2020 ishte marrë vendimi për shtyrjen e zgjedhjeve në Podujevë e pastaj në Mitrovicë të Veriut, kjo ishte bërë sepse as nuk e njihnim virusin, as nuk dinim si të mbroheshim prej tij, e as nuk kishim protokolle për mbajtjen e zgjedhjeve në kohë pandemie. Në atë kohë madje ishim në e mesin e dhjetëra shteteve që i kishin shtyrë zgjedhjet për shkak të pandemisë. Sot, situata është krejt ndryshe. E njohim më mirë virusin, dimë si të mbrohemi prej tij e kemi vaksina, si dhe kemi protokolle për mbajtjen e zgjedhjeve. Askush nuk i shtynë më zgjedhjet për shkak të pandemisë, e ne s’kemi pse të jemi të vetmit. Ne kemi mbajtur dy palë zgjedhje në kohë pandemie. Përvoja nga to tregon që ka fare pak të ngjarë që rritja e rasteve të ketë ndodhur si pasojë e ditës së zgjedhjeve”, shkruan ai.

Kujtojmë, që vitin e kaluar kur e gjithë bota ishte izoluar Albin Kurti bashkë me deputetët dhe aktivistët e partisë kërkonin zgjedhje, madje edhe duke daluar në shesh me dhjetra qindra qytetarë. Gjithsesi, takimi që Presidentja Osmani ka ftuar me partitë politike do të mbahet me datën 13 shtator në ora 17:00, në Kuvendin e Kosovës./gazetametro.net