“Forca bën fuqinë”, Ramiz Lladrovci – kryetar i Drenasit

Ramiz Lladrovci është kryetari i ri i komunës së Drenasit.

Kjo është fjala e qytetarëve të Drenasit pas shpalljes së rezultatit të balotazhit në këtë komunë.

Rezultatet e deritanishme në uebfaqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nga 70 qendra të votimit të numëruara nga gjithsej 72 tregojnë se Ramiz Lladrovci ka marrë 13.797 vota ose 63,05% ndërsa kundërkandidati i tij nga Nisma për Kosovën, Isa Xhemajlaj ka arritur të marrë 8.084 vota ose 36,95 %, njofton Klan Kosova.

Balotazhi në komunën e Drenasit erdhi pas rezultatit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të mbajtura më 4 dhjetor ku kandidati Ramiz Lladrovci pati marrë 45,3 % ose 9.458 vota ndërsa Isa Xhemajlaj  26,19 % ose 5642 vota.

Pas këtyre rezultateve, Nisma për Kosovën pati nënshkruar një koalicion me AKR-në dhe kandidatin Elmi Thaçi që kishte mbledhur 1589 vota ose përkthyer në përqindje, 7, 62 % e më pas edhe me kandidatin e pavarur, Xhavit Drenori që kishte 12,62 % ose 2633 vota.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Drenas janë mbajtur pasi Nexhat Demaku që udhëhiqte me këtë komunë për dy mandate, e la detyrën, kur drejtësia e gjeti fajtor në rastin “Drenica 2”.