Menaxhmenti i Kompanisë NewCo Ferronikeli Complex LLC, pas organizimit të grevës së punëtorëve që ka rezultuar me ndërprerjen e prodhimit, kështu duke i shkaktuar humbje të madhe kompanisë, ndjehet i detyruar që të sqarojë për opinionin e gjerë gjendjen reale aktuale.

Duke e çmuar kontributin e punonjësve të vet, Menaxhmenti në bashkëpunim me Sindikatën e punëtorëve të NewCo Ferronikelit, ka marrë vendim që secili i punësuar të përfitojë nga skema e planifikuar e bonuseve. Sipas kësaj skeme punëtorët çdo muaj, përveç pagës, të cilën e marrin me rregull; do të përfitojnë edhe bonuse shtesë. Kjo do të varet nga performanca e secilit punëtor dhe realizimi i planit të përcaktuar mujor. Ne si menaxhment, jemi të bindur se kjo do të ndikojë në përmirësimin e performancës së punëtorëve dhe ngritjen e produktivitetit.

Për kompaninë punonjësit janë aset i çmuar, ndaj në vazhdimësi është punuar për përmirësimin e kushteve të tyre. Punonjësve të NewCo Ferronikelit ju ofrohen kushte të punës me standarde të larta ndërkombëtare duke filluar nga pajisjet për mbrojtje në punë, ushqimi cilësor në punë, transporti, përkujdesja mjekësore, lavanderia për larjen e rrobave të punës, pagesa e orëve shtesë, pushimi me pagesë si dhe respektimi i të gjitha normave sipas ligjit të punës të Republikës së Kosovës. Per këtë arsye, duam te theksojmë se kërkesa e vetme e punëtorëve ka qenë rritja e pagës prej 100 eurosh për punonjës dhe asnjë arsye tjetër.

Vlen të theksohet se paga mesatare e punonjësve të NewCo Ferronikeli është €550, ndërsa paga më e ulët është €400.

Fatmirësisht, pas takimeve të zhvilluara me sindikatën e punëtorëve të NewCo Ferronikelit dhe duke ju sqaruar situatën, punëtorët janë rikthyer në vendet e tyre të punës dhe prodhimi është duke vazhduar sipas planit.

Menaxhmenti i NewCo Ferronikelit ka përpiluar dhe do vazhdojë të përcjellë propozime për rritjen e pagës në formatin e lejimit të rimëkëmbjes së kompanisë, pa cenuar performancën operacionale dhe financiare dhe njëkohësisht do të vazhdojmë me investime në të mirë të punëtorëve dhe fabrikës.

Të dhëna shtesë

Grupi Balfin e ka marrë në posedim kompaninë NewCo Ferronikeli rreth një vit më parë. Vendimi i parë i menaxhmentit të ri ishte që pa asnjë lloj obligimi ligjor, të ju paguante punonjësve të gjitha pagat e prapambetura dhe të papaguara, të cilat nuk i kishin marrë për disa muaj.

Grupi Balfin ka injektuar miliona euro në investime për të rifilluar punën e furrës dhe po planifikohen miliona euro të tjera për investime kapitale. Më konkretisht vetëm në vitin 2020, NewCo Ferronikeli ka të planifikuar që të investojë mbi €20 milion në teknologji, në rritjen e eficences, në përmirësimin e kushteve të prodhimit dhe të punës në fabrikë si dhe për hapjen e vendeve te reja punës.

Menaxhmenti i NewCo Ferronikeli dhe Grupi Balfin, po punojnë në strategji afatgjate për zhvillimin e NewCo Ferronikelit, duke e bërë atë konkurrente me fabrikat e tjera në botë.