Ngjarja e së premtën, kur është kërcënuar dhe është sulmuar Blerim Fazliu, një ofertues në ankandin për dhënie në shfrytëzim të një parcele, pronë e komunës nga drejtori i Bekim Jasharit, Ramiz Shala (rasti është denoncuar në Polici), është vetëm vazhdim i qeverisjes me kërcënime, me sulme fizike e shantazhe i kësaj qeverisjeje. Ramiz Shala vazhdon të jetë personazhi kryesor.

Pas sulmit fizik ndaj asamblistit Malsor Bejta, pasi që kishte kërcënuar dhe kanosur gazetarin Kajtaz Gecaj, pasi që kishte thyer vetura të komunës duke i avarisur totalisht dhe duke i bërë të papërdorshme, Shala tani ka kërcënuar, madje edhe e ‘ka shtyrë’ ofertuesin Fazliu, kur ky ishte përpjekur ta ndalojë Shalën të dalë jashtë me letrat e ankandit në dorë, të ofertuesit tjetër, i cili sipas Fazliut, mbante në dorë dy oferta që i kishte bërë ofertuesi tjetër, një me çmim më të ulët (21 për qind) dhe një tjetër me çmim më të lartë (30 për qind).

Shala, gjithnjë sipas Fazliut, kur kishte vërejtur se oferta e Fazliut ishte më e volitshme (29 për qind), atëherë ai kishte dalë jashtë dhe kishte ndërruar letrat, në mënyrë që në vend të ofertës së parë (21 për qind) të ofertuesit “Arizona”, Shala kthehet dhe e tregonte ofertën tjetër reserve (30 për qind). Natyrisht, siç thotë Fazliu, ai kishte reaguar, por ishte kanosur dhe ishte kërcënuar jo vetëm nga Ramiz Shala, por edhe përfaqësuesit e ofertuesit tjetër.

“Ata kanë dasht me më sulmu në hyrje të objektit të komunës. Me kanë share dhe më kanë kërcënuar, por unë kam kërkuar ndihmen e sigurimit të komunës. Gjithçka është në Polici. Unë i kam denoncuar ata. Janë kamerat edhe mund të shihen. Gjithashtu nga Policia kam kërkuar që të hetohet ky rast, që edhe Prokuroria të ndërhyjë, sepse është shkelu ligji në mënyrën më flagrante të mundshme”, ka ripërseritur Fazliu, për gazetën online Vision Mega.

Pas kësaj ngjarjeje të shëntuar, tani shtrohet një pyetje e thjeshtë: A mund ky pushtet të qeveris pas grushte, pa kërcënime e pa shantazhe? Përgjigjen e jep qytetari, në tetorin e këtij viti. Shtrohet edhe një pyetje: A ia ka vdekur me të vërtetë nëna haraçit në komunën e Skenderajt. /Vision Mega/