Finlandë – Kosovë, befason numri i biletave të ndara për kosovarët

Federata e Futbollit e Finlandës ka vënë në shitje biletat për tifozët kosovarë për ndeshjen Finlanda-Kosova, që zhvillohet më 5 shtator në qytetin Turku, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës “Rusia 2018”.

Sipas njoftimit nga Federata e Futbollit të Kosovës, biletat për tifozët e Kosovës kushtojnë 30 euro që janë në sektorin J në stadiumin “Veritas”. Biletat janë në numër të limituar rreth 400 ulëse (bileta). Po ashtu ka bileta edhe në sektorin e kategorisë së parë që kushtojnë 50 euro.

FFK pret që numri i kosovarëve në stadium të jetë më i madh se numri i biletave në dispozicion.

“Gjithsesi numri i tifozëve kosovarë në këtë ndeshje do të jetë më i madh se sa numri i biletave që është vënë në dispozicion, pasi tashmë shumë bashkëatdhetarë tanë që jetojnë në Finlandë i kanë siguruar biletat në sektore tjera të stadiumit”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Numri i vogël i ulëseve për tifozët kosovarë vie për faktin se stadiumi ka kapacitet prej rreth 9 mijë ulëseve, andaj pjesa tjetër iu takon finlandezëve.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT