Në Kosova tashmë ka na nisur procesi i vaksinimit masiv kundër COVID-19.

Lajmin për Telegrafin e konfirmoi Orgesa Arifi, këshilltare për marrëdhënie me publike e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.

“Po ka nisur vaksinimi masiv në të gjitha komunat e Kosovës”, tha Arifi.

Ndryshe, u tha se vaksinimi masiv i qytetarëve do të bëhet bazuar në Planin e Veprimit për vaksinimin në masë të qytetarëve me vaksinën kundër COVID-19.

MSH kërkon nga qytetarët që të mos shkojnë në qendrat e vaksinimit pa konfirmim, por të presin thirrjen për termin. Thirrja do t’iu bëhet përmes telefonit, mesazhit telefonik ose përmes emailit.

Nëse nuk keni aplikuar ende për vaksinim këtë mund ta bëni ekosova.rks-gov.net.

Ndryshe, rreth 20 qytetarë ishin brenda palestrës sportive “1 Tetori”, të cilët po prisnin ta merrnin vaksinën.

Megjithëse përgjegjësit e kësaj qendre të vaksinimit nuk pranuan të flasin për medie, duket se ky proces ka nisur me një organizim të mirë.

Nga ajo që u pa jashtë sallës, Policia e Kosovës është duke u përkujdesur për mbarëvajtjen e procesit.

Edhe pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë parë duke hyrë në këtë qendër për të marrë vaksinën anti-COVID.

Lidhur me vaksinimin masiv mbrëmë ka shkruar edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Ministri ka njoftuar se institucionet janë në momentet përfundimtare të parapërgatitjeve për nisjen e vaksinimit masiv në të gjithë vendin.

“Pas shumë sakrificave, humbjeve e vështirësive të këtij viti që lamë pas, kemi mbërritur tanimë në një stacion të ri nga ku mund të nisim rrugëtimin tonë drejt imunizimit”, ka shkruar Vitia në Facebook.

“I kemi siguruar vaksinat, i kemi bërë përgatitjet. Së shpejti mbërrin dhe kontigjenti i parë i vaksinave Pfizer nga sasia që ka kontraktuar Republika e Kosovës”, ka vijuar më tej ministri i Shëndetësisë.

Vitia thotë se Kosova do të ketë një vjeshtë e dimër më të sigurt në aspektin shëndetësor.

“Ju lutem si çdo herë: ndiqni dhe informohuni në njoftimet zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë për mënyrën, kohën dhe kriteret e vaksinimit”, ka porositur më tej Vitia qytetarët. /Telegrafi/