“Festa e marihuanës” në Gërmi, arrestohen 8 të rinj (Foto)

Policia e Kosovës ka arrestuar tetë të rinj në Parkun Gërmia, pasi ka gjetur posedim të marihuanës.
 Dhjetëra të rinj sot ishin mbledhur në parkun Gërmia të kryeqytetit, sikur u tha, për të kremtuar Ditën Ndërkombëtare të Kanabisit.
Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani konfirmoi se shtatë personave gjatë kontrollit u është gjetur marihuanë, kurse njërit i është gjetur një thikë.
Krahas automjeteve private, policia ka kontrolluar edhe qytetarët, kryesisht të rinj, që vinin me autobusë të trafikut urban.
Policia e Kosovës më herë kishte njoftuar se ka pranuar informacione se një aktivitet ilegal, ku paralajmërohet se do të konsumohen substanca narkotike, pretendohet të realizohet sot në orët e pasdites në parkun e Gërmisë. Mbajtja e tubimit është paralajmëruar përmes rrjeteve sociale.
Nëpërmes Facebookut, organizatorët e eventit “Share/Love – 4/20 Prishtina” kishin ftuar të gjithë të interesuarit që të festojnë në Gërmi “Ditën Ndërkombëtare të Kanabisit”.
Policia u bëri thirrje qytetarëve që t’i shmangen aktiviteteve apo organizimeve të tilla joligjore, duke paralajmëruar se do të veprojë dhe arrestojë personat e dyshuar që mund të jenë pjesë e këtyre grupacioneve apo kontribuojnë në aktivitete të tilla që bien ndesh me ligjin.
Disa pjesëmarrës në këtë ngjarje kanë thënë se duhet patjetër të hapet debati për legalizimin e marihuanës.
- Advertisement -

MË TË FUNDIT