“Ferronikeli”, ndër punëdhënësit më të mëdhenj

“NewCo Ferronikeli” është një ndër punëdhënësit më të mëdhenj në Kosovë. Kjo kompani i ka angazhuar rreth 900 punëtorë dhe ka arritur t’i investojë mbi 100 milionë euro. Vetëm në teknologjinë e ruajtjes së ambientit i ka investuar 13 milionë euro, nga e cila shumë rreth tre milionë janë investuar në filtrat e ajrit.
Zëdhënësja e “NewCo Ferronikeli”-t, Lindita Daija, ka bërë me dije për gazetën “Epoka e re”, se kjo kompani e ka marrë lejen e integruar mjedisore. Ajo ka deklaruar se duke qenë se “Ferronikeli” është një ndër investitorët më të mëdhenj në Kosovë, të gjithë duhet të përkujdesen ta sigurojnë qëndrueshmërinë e kësaj korporate. “‘Ferronikeli’ është një ndër punëdhënësit më të mëdhenj në Kosovë, i cili ka rreth 900 punëtorë. Po ashtu, i ka 250 kontraktorë të jashtëm, duke e rritur numrin total në 1 150 bashkëpunëtorë. Praktikat e përgjegjësisë korporative kanë qenë gjithmonë pjesë e korporatës ‘NewCo Ferronikeli’, e cila ka qenë një ndër kontribuueset kyçe në zhvillimin e projekteve për komunitetin lokal”, ka thënë zëdhënësja Daija. Ajo ka bërë me dije se gjatë periudhës janar-shtator 2015 eksporti i korporatës “NewCo Ferronikeli” ka arritur në sasi prej 8 500 deri në 9 000 tonësh nikel. Sipas saj, edhe pse “Ferronikeli” ka qenë në gjendje jo të mirë dhe i shkatërruar nga lufta, “CUNICO Resources” ka arritur ta kthejë produktivitetin në këtë kompani. “Pas një procesi të suksesshëm të privatizimit, ‘CUNICO Resources’ ka fituar kompleksin ‘NewCo Ferronikeli’ në Drenas në prill të vitit 2006. Që nga blerja e deri në kohën kur është marrë përsipër në vitin 2006, kompleksi i ‘NewCo Ferronikel’-it ishte në gjendje të rëndë dhe i shkatërruar nga lufta, megjithatë ‘CUNICO Resources’ ka qenë në gjendje ta rinovojë ‘NewCo Ferronikeli’-n në vitin 2007 dhe ta kthejë në gjendje operuese”, ka thënë Daija, duke shtuar se që nga fillimi e deri më tani investimet totale në këtë korporatë e kanë tejkaluar shumën totale prej 100 milionë eurosh. “Investimet tona kanë filluar tani të kompensohen. Vitin e kaluar janë prodhuar mbi 8 000 tonë ferronikelë dhe me dinamikën aktuale kjo do të rritet në më shumë se 9 000 tonë”, ka thënë ajo. Sipas zëdhënëses Daija, kjo korporatë ka marrëdhënie me shumë shtete të Evropës, Azisë, Skandinavisë dhe Lindjes së largët. “‘Cunico Resources’, si aksionar kryesor i ‘NewCo Ferronikeli’-t në Kosovë, është një furnizues i besueshëm i hekur-nikelit si lëndë e parë për disa prodhues të mëdhenj të çelikut në Evropë dhe Lindjen e largët. Vendet kryesore që furnizohen nga ‘Cunico Resources’ janë: Spanja, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Suedia, Italia, Belgjika, Kina, India, Koreja, Tajvani etj. ‘Cunico Resources’ nuk kufizohet vetëm në këto vende, dmth. qëndron e hapur edhe për eksport në shtete të tjera”, ka thënë ajo.
Zëdhënësja Daija ka bërë me dije se investimet e “NewCo Ferronikeli”-t e kanë tejkaluar trefishë normën e investimeve sipas kontratës së privatizimit. Sipas saj, mbi 13 milionë euro janë investuar vetëm në teknologjinë e ruajtjes së ambientit. “‘NewCo Ferronikeli’ në total i ka investuar mbi 100 milionë euro në këtë korporatë, duke e tejkaluar trefishë normën sipas kontratës së privatizimit. Pothuajse mbi 13 milionë euro janë investuar vetëm në teknologjinë e ruajtjes se ambientit, nga e cila shumë rreth tre milionë janë investuar në filtrat e ajrit. Jemi aprovuar si korporatë dhe e kemi marrë lejen e integruar mjedisore. Sipas ligjit, në baza mujore, i raportojmë Agjencisë për Mbrojtje të Mjedisit të Kosovës, (AMMK). Përveç kësaj, ne ia dërgojmë po të njëjtat të dhëna në baza të rregullta Ministrisë së Ambientit, respektivisht Zyrës së sekretarit të përgjithshëm, si dhe kryeinspektorit të kësaj ministrie”, ka thënë ajo.

“NewCo Ferronikeli” përballet me sfida

Zëdhënësja e “NewCo Ferronikeli”-t, Lindita Daija, ka thënë se, pavarësisht investimit të një shume të lartë të kapitalit, kjo kompani përballet me sfida gjatë operimit në Kosovë. “Sfidat që ia vlen të theksohen janë: a. çmimi tejet i lartë i energjisë elektrike; b. shfrytëzimi i dobët i mineraleve vendore, që ndikon në sasinë e importuar të nikelit nga jashtë për ta balancuar nivelin e duhur të kualitetit të nikelit dhe c. një ndër sfidat kyçe janë problemet fiskale si: shuma e lartë e kërkuar për garanci bankare dhe taksa e lartë e rentës minerare për nikel”, ka deklaruar Daija.

Epoka e re
- Advertisement -

MË TË FUNDIT