“Ferronikeli” kërkon ndihmën e Qeverisë për të rifilluar punën: Janë afektuar mbi 2000 familje

Kompania “Ferronikeli” mori vendim për ndërprerjen e përkohshme të prodhimit për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimit të energjisë elektrike në tregjet evropiane. Nga kjo kompani thanë se katërfishimi i çmimit të energjisë ka çuar në marrjen e këtij vendimi që do të zgjasë deri në një moment të dytë kur çmimet të normalizohen. “Ferronikeli” tashmë është në kontakte edhe me Qeverinë e Kosovës për të gjetur një zgjidhje që prek mbi 2 mijë familje.

Zëdhënësi i kësaj kompanie, Shpend Gudaqi, deklaroi për KosovaPress se vendimi është i dhimbshëm dhe se nuk ka qenë aspak i lehtë por ishte opsioni i vetëm i mbetur, pasi prej disa muajsh janë tentuar të gjitha rrugët e mundshme, duke kërkuar edhe ndihmën e qeverisë me gjenerimet vendore të energjisë.

“Vendimi i sotshëm i ‘Ferronikelit’ për ndërtimin e përkohshëm të prodhimit është shumë i dhimbshëm edhe për ndërmarrjen, por gjithashtu edhe për punëtorët, janë 900 punëtorë që preken nga kjo krizë, nga ky vendim dhe janë rreth 1500 të tjerë që janë furnitorë ose kontraktorë nga kompanitë të ndryshme nga ‘Ferronikeli’. Vendimi vjen si detyrim pa alternativë për shkak të rritjes së çmimit të energjisë elektrike në tregjet evropiane”, deklaroi Gudaqi.

Gudaqi deklaroi se për situatën e rëndë janë informuar rregullisht dhe është kërkuar ndihma edhe te institucionet qeverisëse të Kosovës, me të cilët vijojnë kontaktet për të gjetur rrugëdalje dhe tejkalimin e kësaj situate të jashtëzakonshme.

“’Ferronikeli’ është duke kërkuar, është duke hulumtuar, mënyra se si ta rinisë punën në afat sa më të shpejtë mirëpo ka impakt të vogël në determinimin e çmimit në tregjet evropiane. Bashkëpunimi është me institucionet e Kosovës, ka pasur disa kontakte dhe ai po vazhdon. Po, në fakt ka kontakte me Qeverinë e Kosovës, është bërë kërkesë tek ata dhe do të vazhdojnë kontaktet me Qeverinë e Kosovës në mënyrë që të gjendet një zgjidhje sa më e mirë për ‘Ferronikelin’ dhe të gjithë punëtorët e saj”, vijoi Gudaqi.

Gudaqi u shpreh se kompania do të paguajë në muajin në vijim të gjithë punonjësit që do të jenë me pushim të detyrueshëm me 50% të pagës së tyre mujore, ndonëse do të jenë të liruar nga obligimet e punës.

Po ashtu, ai theksoi se pronarët e “Ferronikelit” janë në proces të investimeve mbi 7 milionë euro, pasi paraprakisht kanë investuar mbi 18 milionë të tjera.

“Vlen të theksohet që mbyllja është e përkohshme, ‘Ferronikeli’, përkatësisht ‘Balfin Group’, si pronare e ‘Ferronikelit’, ka bërë mbi 18 milionë euro investime deri më tani, është në proces të investimeve edhe të 7 milionëve të tjera dhe ‘Ferronikeli’ është i interesuar që sa më shpejtë të nisë punën dhe të vazhdojë me investime të reja që t’i përfundojë në afatet e parapara”, u shpreh Gudaqi.

Në fund, ai përsëriti se kompania vijon të mbetet e hapur dhe në kërkim të e alternativave që do të mundësonin rikthimin sa më shpejt në prodhim dhe pikërisht për këtë arsye vazhdon të mbajë të hapura të gjitha kanalet e komunikimit me të gjitha institucionet e Kosovës.