Feronikeli pëson humbje të thellë me rezultat 7-0!

Drita e ka nisur mbarë edicionin pranveror në BKT Superligën e Kosovës, pasi ka shënuar fitore të thellë 7-0 ndaj Feronikelit.

Ishte një ndeshje e lehtë për Dritën, duke marrë parasysh se skuadra e Feronikelit po paraqitet me futbollistë kryesisht të rinj pas largimeve të shumta në janar.

Vetëm pas katër minutave lojë, gjilanasit kaluan në epërsi kur Hamdi Namani shënoi për 1-0.

Golin e dytë Drita e gjeti në minutën e 36-të, kur përsëri ishte realizues mesfushori Hamdi Namani për 2-0.

Ndërkohë mesfushori nga Podujeva e kompletoi het-trickun e tij në minutën e 45-të, pas golit të shënuar nga afërsia kur u asistua mirë nga Blakçori.

Me epërsinë prej tre golave të gjilanasve u mbyllën 45 minutat e para të kësaj sfide.

Edhe pjesa e dytë nisi mirë për skuadrën gjilanase, pasi në minutën e 54-të ishte sulmuesi maqedonas Marko Simonovski që nga afërsia realizoi për 4-0.

Në minutën e 73-të, Arbnor Muja gjeti golin pas dy asistimeve për ta ngritur në pesë gola epërsinë e Dritës.

Drita nuk i ndali në asnjë moment sulmet dhe në minutën e 81-të zëvendësuesi Almir Kryeziu realizoi për 6-0.Në minutën  87-të, golin e gjeti edhe sulmuesi tjetër që u fut në lojë Albin Tahiri për 7-0.

Përkundër rasteve të shumta gola më nuk pati dhe Drita mori fitoren më të thellë këtë edicion në BKT Superligë.

Skuadra e Ardian Nuhiut tani kalon në vendin e parë me 37 pikë, një më shumë se ndjekësit Ballkani e Gjilani.

Drita xhiron e ardhshme e pret Llapin, derisa Feronikeli përballet me Gjilanin. /Telegrafi/

- Advertisement -

MË TË FUNDIT