Feronikeli distancohet nga sulmi me lopatë ndaj lojtarit të Gjilanit

Feronikeli ka shprehur keqardhje për incidentin e së shtunës në ndeshjen me Gjilanin, ku futbollisti mysafir, Betim Haxhimusa, është sulmuar me lopatë me ç’rastë iu është thyer dora, për çka të hënën do të hyjë në operacion, shkruan sot gazeta Zëri.

“Kur Betim Haxhimusa është ndëshkuar me karton të kuq, ne kemi qenë duke shikuar ndeshjen dhe nuk kemi qenë në dijeni se çfarë ka ndodhur”, thotë drejtori i kampionit, Arton Berisha.

“Sigurisht që ne ndiejmë keqardhje për atë që ka ndodhur dhe dënojmë ashpër këtë akt. Nuk e dimë se si ka qenë rasti, pasi vërtet kemi qenë të koncentruar në lojë dhe nuk kemi mundur të shohim asgjë. Ne si klub distancohemi nga këto veprime”, ka potencuar ai.

Edhe futbollisti tjetër i Gjilanit, Fidan Hasani, ishte ankuar se ishte sulmuar fizikisht dhe për krejt situatën e kishte fajësuar gjyqtarin, Besfort Kosumi, duke theksuar se referimi skandaloz i tij e ka prishur ndeshjen, e cila përfundoi baras, 1:1, ndërsa solli tre kartonë të kuq.

Pas një rrëmuje në fushë në minutën e 80-të, Kosumi i kishte ndëshkuar me kartonë të kuq Betim Haxhimusën e Gjilanit dhe Mendurim Hotin e Feronikelit.

Ndërsa në minutat shtesë të lojës, edhe Fidan Hasani ishte përjashtuar. Që të dy lojtarët e Gjilanit ishin gjuajtur me gjësende të forta nga publiku, teksa po e lëshonin fushën. Ky incident e ka lënë nën hije krejt lojën e zhvilluar, gjatë së cilës golin për mysafirët e ka shënuar Dren Gashi në minutën e 6-të, kurse vendasit e barazuan rezultatin katër minuta më vonë përmes autogolit të Arbër Shalës./Zëri/

- Advertisement -

MË TË FUNDIT