Feronikeli 196 ditë pa humbje

Humbjen e fundit, ekipit që po drejtohet nga kryetrajneri, Gani Sejdiu, ia kishte shkaktuar rivali nga Skenderaj, Drenica, në kuadër të javës së 10-të, duke e mposhtur me rezultat 2:0.

Këtë ecuri të shkëlqyeshme, prej tetë fitoreve, gjashtë barazimeve dhe asnjë humbjeje, kryetrajneri i Feronikelit, Gani Sejdiu, e vlerëson lartë, duke thënë se e gjitha është krijuar nga një punë e madhe që është bërë nga të gjithë.

“Kjo ecuri e mirë që e kemi krijuar, duke mos pësuar humbje që nga java e 10-të, ka ardhur si rezultat i punës së madhe ekipore që e kemi bërë. Mendoj që ekipi e ka arritur përsosmërinë, dhe kjo përsosmëri nuk ka ardhur rastësisht, por si rezultat i një pune të madhe që është bërë edhe në teori, por edhe në praktikë. Atë që e kemi thënë në teori, futbollistët e kanë praktikuar në mënyrën më të mirë”, ka thënë Sejdiu për Gazetën Tribuna.

Ai ka shtuar se ka arritur ta krijojë një mentalitet fitues, duke theksuar se futbollistët e kanë kuptuar konceptin e tij se si luhet futbolli modern.
Faktor i rëndësishëm, sipas trajneri nga Mitrovica, është edhe siguria që ka krijuar skuadra që ai drejton.

“Është krijuar një siguri dhe ekipi po funksionin shumë mirë në të tria fazat, si në sulm, mesfushë, e po ashtu edhe në mbrojtje. Futbollistët janë ata që po duan të arrijnë nivelin e lartë dhe një gjë të tillë e kanë arritur, pra pa dashjen e tyre, pa punën e madhe të tyre, as trajneri nuk do të mund të kryente punë”, nënvizoi trajneri i skuadrës nga Drenasi.
Sejdiu paralajmëroi se edhe kundër Istogut do të kërkojnë pikë të plota të mërkurën (nesër).

Kolshi vendimtarë

Një meritë të madhe për ecurinë e Feronikelit, e ka edhe portieri, Granit Kolshi, i cili në shtatë ndeshjet e para të pranverës nuk kishte pranuar gol, duke e mbajtur portën e paprekur për rreth 700 minuta.

Ai ka thënë për “Gazeta Tribuna” se forma e skuadrës dhe e tij, ka ardhur si rezultat i punës së madhe të përbashkët që është bërë, edhe përkundër vështirësive.

“Gjithë këtë sukses e vlerësoj fal punës që kemi bërë të gjithë së bashku, me një angazhim të madh dhe punën që kanë bërë trajnerët tonë, një punë të palodhshme, edhe pse ka qenë shumë e vështirë, pasi që nuk kemi stërvitur aty ku i kemi luajtur ndeshjet”, ka thënë Kolshi.

Kolshi ka shtuar më tej se një meritë të madhe e ka edhe kryesia e klubit, e cila është kujdesur dhe ka qëndruar prapa lojtarëve dhe sipas tij, kujdesi i madh ka qenë edhe një motiv shtesë. Suksesin e tij, duke mos pranuar gol për rreth 700 minuta, “gardiani” i kryesuesit të Superligës, ia dedikon të gjithë bashkëlojtarëve dhe shtabit teknik.

Feronikeli, pas 24 ndeshjeve të luajtura, zë pozitën e parë me 48 pikë, katër më shumë se Besa që renditet e dyta. Drenicasit kanë shënuar, 13 fitore, nëntë barazime dhe kanë pësuar dy humbje. /Gazeta Tribuna/

- Advertisement -

MË TË FUNDIT