Fero sërish në gjyq, kësaj radhe pranon fajësinë për tjetër çështje

I akuzuari Feronit Shabani, i njohur me emrin artistik Fero, të enjten në Gjykatën Themelore në Gjilan është deklaruar fajtor se goditi me duar në shpinë të dëmtuarin Abaz Abazi, i cili më pas ishte detyruar të kërkojë ndihmë mjekësore në Emergjencën e Spitalit Regjional në Gjilan.

Pas leximit te aktakuzës, Fero ka pranuar fajësinë, duke thënë se është pajtuar me të dëmtuarin Abazi dhe se i ka kërkuar falje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar prokurorja Jetishi.

Më pas, gjyqtari i vetëm gjykues, Veli Kyreziu ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të pandehurit Feronit Shabani, për kryerjen e veprës penale sipas aktakuzës së lartcekur.

Fero ngarkohet se ka kryer veprën penale, lëndim i lehtë trupor nga neni 185, paragrafi 1 nënparagrafin 1.4 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në tre vite.