Fëmija, Fotografia dhe televizioni: Kërcënim apo argëtim?

Në Kosovë, deri në vitet 1999, televizioni ishte nën kontrollin shtetëror dhe programi televiziv përbehej nga një argëtimi i lehtë dhe me informacione të përzgjedhura, që jepeshin në kohë të kufizuar. (Këtu nuk dua të ndalem në anën politike, nacionaliste, antishqiptare dhe ideologjike të TV-së Jugosllave, në kohën e komunizmit sllav). Në hapsirat shqiptare (Prishtinë, Tiranë, Shkup, Ulqin e Preshevë) kemi sot shumë televizione private që shfaqin emisione dhe programe komerciale me filma që përmbajnë dhunë, erotikë, agresivitet dhe shumë aksione.

Cecilia von Feilitzen referohet te hulumtimi i saj, ku kjo konkludon se në televizionet kombëtare në Suedi dhe në Norvegji pamjet e dhunës prej 1977 deri 1991 janë ngritur dukshëm dhe se ato kanale televizive që janë të varura dhe të financuara nga reklamat, janë më të mbushura me dhunë dhe përmbajnë më shumë agresivitet.

Pasojat e dhunës në media
Është shqetësues fakti se si lajmi i hulumtuesve amerikanë nuk ka fituar vëmendjen e merituar në opinionin tonë publik. Fjala është për dhunën dhe agresivitetin që shfaqet në film, gazetë dhe TV dhe ndikimin që sjell kjo dukuri në sjelljen dhe agresivitetin e njeriut.
Raporti i hulumtuesve amerikanë quhet:” Media violence and the American public” dhe është shkruar nga psikologu Brad J. Bushman dhe Craig A. Anderson.
Ky raport dëshmon se 60 për qind e programeve televizive amerikane përmbajnë dhunë. Një nxënës amerikan, para se të fillojë të ndjekë shkollën fillore, ka parë më shumë se 8000 vrasje dhe më shumë se 100000 akte dhune. Sipas hulumtuesve amerikanë, videolojërat përmbajnë në më shumë se 85 për qind dhunë dhe seks.
Para publikimit të këtij raporti mbizotëronte bindja se lidhshmëria mes dhunës në TV dhe dhunës në shoqëri nuk është aq e qartë dhe kjo për faktin se hulumtimet ishin shumë të diskutueshme dhe me rezultate kundërthënëse. Industria mediale argëtuese pohon se ekzistenca e dhunës në film dhe në TV nuk ka ndonjë ndikim në sjelljen agresive të fëmijëve. Për më tepër, disa teori shkencore pohonin se dhuna në TV dhe në film ka rolin e një “ventili sigurues për zbrazjen e impulseve agresive”. Këtë ide e mbronte deri vonë e ashtuquajtura “Katarsis teori” (Teoria pastrimit shpirtëror).
Ç’thonë faktet?
Në qershor të vitit 2000, gjashtë organizata profesionale në SHBA (ndër të tjera edhe shoqata e mjekëve të fëmijëve, shoqata e mjekëve të përgjithshëm, shoqata e psikologëve dhe ajo e psikiatrisë) hartuan një deklaratë të përbashkët, ku thuhej se ndikimi i dhunës televizive te të rinjtë është shumë i madh.
Kjo kundërshtohet nga industria televizive dhe ajo e filmit, e cila pohon se efekti i ndikimit negativ te fëmijët është “shumë i vogël”! Por, me ndihmën e metodave të reja statistikore, të ashtuquajtura studime metanalitike, është e mundshme që të vërtetohet lidhja “dhunë në TV – dhunë në shoqëri”.
Duke krahasuar lidhshmëritë mes dhunës në TV dhe agresivitetit që ajo ngulit në sjelljet e fëmijëve, del në pah se:
1. Lidhshmëria mes agresivitetit dhe dhunës në film është po aq e lartë, sikurse lidhshmëria mes pirjes së duhanit dhe kancerit të mushkërive.
2. Është më e lartë se sa mungesa e përdorimit të kondomit në bartjen e HIV-it.
3. Është më e lartë se lidhshmëria që ekziston mes pirjes pasive të duhanit në punë dhe kancerit në mushkëri.
Shumica e njerëzve nuk dyshojnë më për lidhjen e drejtpërdrejtë mes duhanit dhe kancerit. Përderisa dhunës së filmit dhe TV-së nuk i kushtohet vëmendja e duhur, ka të ngjarë, siç shkruajnë edhe hartuesit e raportit, që njerëzit nuk i kuptojnë aq lehtë proceset psikologjike sa i kuptojnë ato fiziologjike.
Në fillim të viteve ‘50 industrialistët e pasur të duhanit mohonin gjithnjë (dhe përkrahnin hulumtuesit që ishin kundër kësaj teze) se është e vërtetuar shkencërisht se duhani shkakton kancerin! Kështu ndodh edhe sot me industrinë argëtuese mediale.
Bushmani dhe Andersoni argumentojnë se një për qind e shikuesve bëhen më agresivë pasi që kanë parë një program televiziv me përmbajtje dhune. Kjo do të thotë se po qe se 10 milionë qytetarë në SHBA ndjekin një program televiziv me dhunë, 100000 persona bëhen më agresivë. Po qe se një film me përmbajtje dhune shfaqet në televizion dhe ndiqet prej 400000 shikuesve, atëherë, sipas këtij hulumtimi, 4000 shikues bëhen më agresivë në jetën reale. Interesa të mëdha ekonomike ekzistojnë në skenën mediale, por redaktorët dhe gazetarët do të duhej të riktheheshin në idealin dhe etikën e gazetarisë dhe të thonë dhe të mbrojnë të vërtetën shkencore mbi dhunën në media dhe ndikimin e saj në opinion, veçanërisht te fëmijët.
Fëmijët dhe lajmet televizive
Si e konstruktojnë fëmijët shprehjen solidaritet, në ç’mënyrë e identifikojnë ata veten e tyre me situatën e viktimës, kur fillojnë fëmijët të kuptojnë se një fotografi është “realitet” e tjetra “fantazi”. Janë këto disa nga pyetjet që dikush nga shtresa e intelektualëve tanë duhet t’u përgjigjet.
Te ne njohuritë pedagogjike për lajmin në TV janë relativisht të varfra. Në anën tjetër, ne shohim se si lajmet “e këqija” dhe ”të forta” po marrin kreun e vendit në media. Lufta mbi terrorin, vjedhjet e armatosura, katastrofat e natyrës, vrasjet për motive të dobëta etj. janë ndodhi me të cilat fëmijët dhe të rinjtë përballen çdo ditë. Transmetuesit e lajmit shqiptar po emetojnë fotografi të tmerrshme dhe rrëqethëse (njerëz të pushkatuar në mes të ditës, shpërthime, qytetarë të copëtuar, fëmijë që vriten në krah të prindërve, burra të vrarë në mes të rrugës, fotografi të njerëzve që në panik lëshohen nga katet e larta të ndërtesave drejt vdekjes, fëmijë me sy të përlotur e barkshterur…).
Po, fotografia e lajmit televiziv është ”e fortë”, ka ndryshuar? Në këtë luftë komerciale për të përfituar gjithnjë e më shumë shikues, televizioni parapëlqen elemente të shpejta apo efekte të fuqishme dhe ndikuese. Kjo bën që fotografia e lajmit televiziv të jetë e karakterizuar nga dhuna, nga shpejtësia, nga emocionet dhe nga sensacioni. Jo rrallë, fëmija përdoret si rekuizitë e lajmit. Pamje të fëmijëve të uritur dhe duke qarë përdoren si ilustrim për shqetësimin, vuajtjen dhe tragjedinë e një shoqërie. Për lajmin televiziv fëmijët konsiderohen si viktimat më të çmuara për të zgjuar emocion e patos te shikuesi.
Shtrohet pyetja: Si e përjetojnë fëmijët dhunën autentike përmes lajmit televiziv? Çfarë fotografie ndërtojnë fëmijët dhe nxënësit për botën nga lajmi televiziv?
Disa rezultate të hulumtimeve mbi dhunën televizive dhe fëmijët
Fëmijët nuk kanë mundësi të përballojnë kufirin mes fantazisë dhe realitetit.
Fëmijët (mes moshës 9 dhe 13 vjeç) në një shkallë të madhe mund të përballojnë dhunën e vërtetë nga ajo fiktive.
Fëmijët që kuptojnë se dhuna nuk është reale, ajo ka efekt të vogël, ndërsa te fëmijët që nuk e kuptojnë këtë proces, athërë kjo ka efekt në perspektivë të gjatë.
Lajmet e mëdha me dhunë të vërtetë kanë efekt shumë të madh dhe janë të rrezikshme.
Dhuna në seritë televizive dhe në filmat vizatimorë nuk ka efekt të madh, sepse fëmijët kuptojnë se dhuna nuk është reale.
Shumë hulumtues të mediave paralajmërojnë se do këtë pasoja negative për fëmijët në qoftë se as shkolla dhe as prindërit nuk kanë njohuri e aftësi të mjaftueshme për t’ua sqaruar fëmijëve fenomenin “lajm” dhe ndërtimin e tij.
Frika, injorimi, mërzia dhe depresioni janë përgjigje e zakonshme ndaj lajmit me fotografi ”të forta”. Shumë hulumtues këshillojnë gjithashtu se fotografitë “e forta”, të paraqitura në lajmet televizive, mund të reflektojnë te të rinjtë një bindje të pashpresë e të mbrapshtë të botës dhe të shoqërisë ku ata jetojnë. Po ashtu, afërsia gjeografike e dhunës përfton një reagim mjaft negativ te fëmijët. Këta e ndiejnë veten të pasigurt, sepse dhuna përjetohet si diçka që ndodh në afërsi dhe se herën tjetër kjo e keqe mund të përsëritet edhe ndaj tyre. Sipas hulumtuesit norvegjez Raundalen, të rinjtë në këtë mënyrë e përjetojnë ardhmëninë si kërcënuese dhe problematike. Dhe kjo në saje të lajmit që transmetohet nga televizioni dhe fotografia.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT