“Fatari”, e vetmja në Kosovë që prodhona mjete pune nga metali! (Foto)

 

Në kuadër të vizitave të tij bizneseve vendore, drejtori i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Nasuf Aliu i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, ka vizituar fabrikën për prodhimin e gjërave metalike “Fatari”, e vetmja e këtij lloji në Kosovë.

Ata janë pritur nga udhëheqësit e fabrikës, Mehmet Mehmeti dhe djali i tij Bujari, të cilët i njoftuan me punën që bëhet aty, problemet me të cilat ballafaqohen dhe synimet e tyre për të ardhmen.

“Fabrika jonë ka filluar punën nga viti 1990 me një emër tjetër, ndërkaq nga viti 2005 vazhdon punën me emrin “Fatari”. Në prodhojmë lopata, tela gjemborë, kënde të metalta, karroca për ndërtimtari, karroca për bujqësi dhe gjëra të tjera të metalit. Që nga hapja e fabrikës e deri më sot nuk kemi pas ndonjë stimulim nga shtetit, por të gjitha çka i kemi arrit janë vetëm me djersen dhe mundin tonë”, tha drejtori i fabrikës, Bujar Mehmeti.

Aktualisht në fabrikë janë të punësuar 12 vetë, ndërkaq në të ardhmen e afërt synohet ngritja e kapaciteteve të prodhimit e me këtë edhe rritja e numrit të punëtorëve në mbi 20.

“Jo vetëm Kosovë, por as në disa vende të rajonit, nuk ka fabrika të këtij lloji, kështu që tregu ynë nuk është vetëm vendi ynë, por edhe vendet e rajonit”, tha Mehmeti.

Fabrika në fjalë është e vendosur në një objekt të Fabrikës së Akumulatorëve, aset i Ndërmarrjes Publike “Trepça”, për shfrytëzimin e së cilit paguan qira.

“Këtë objekt e shfrytëzojmë me vite me qira, por duke pas për bazë synimet tona që së shpejti të rrisim kapacitetin e prodhimit, ky objekt nuk i plotëson kushtet, gjë që është një nga shqetësimet tona kryesore. Thënë të drejtën edhe më parë jemi interesuar për të marrë në shfrytëzim një parcelë në Parkun e Bizneseve, kemi aplikuar në komunë për këtë, por kërkesa jonë ka has në vesh të shurdhët”, tha Mehmeti.

Kërkesën e tij për marrjen në shfrytëzim të një parcelë në atë lokacion, e cila do të mund t’i plotësonte kushtet për zhvillimin e mëtutjeshëm të biznesit të tij, e ka paraqitur sërish para autoriteteve të komunës.   Drejtori Aliu, me këtë rast ia sqaroj Mehmetit punën rreth ri-funksionalizimit të Parkut të Bizneseve, që është në proces e sipër, duke e inkurajuar atë që të përgatisë një plan në detaje dhe të aplikoj pas shpalljes së ofertës për aplikim, e cila do të bëhet pasi “të pastrohen”, të gjitha punët me shfrytëzuesit dhe keqpërdoruesit e deritashëm të pronës publike të komunës, në Parkun e Bizneseve.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT