Familjarët thanë se 23 vjeçarja nga Drenasi vdiq nga vaksina, Klinika Emergjente thotë se kishte gjakderdhje në bark

Zarife Imeri, 23 vjeçarja nga Drenasi vdiq dje pas një komplikimi shëndetësor, pak minuta më tepër se 48 orë pas marrjes së vaksinës.

Familjarët e shpërndanë lajmin për vdekjen e saj, duke thënë se e njëjta vdiq pas komplikimeve pas marrjes së vaksinës, përcjell GazetaBlic.

Ishte djali i dajës i saj, Haxhi Xhemajli që përmes rrjeteve sociale njoftoi lajmin e kobshëm.

I njëjti, në një prononcim për GazetaBlic konfirmoi rrugën sesi rrjedhën gjërat, duke thënë se ajo ishte duke punuar, me ç’rast ishte detyruar të vaksinohej.

Pas vaksinimit, saktësisht dje ishte nisur për në punë me një të afërme të tjetër, kur edhe fillon të mos ndjehet mirë.

“Kërkoj falje që nuk po mund të shkruaj, por për shkak të emocioneve. Ajo që mund të them është se po dyshohet se vdekja e mbesës sime, unë jam djali i dajës i saj, ka ardhur për shkak të vaksinimit. Është e vërtetë se para gjashtë viteve ka pasur një intervenim kirurgjik, por që nga ajo kohë nuk ka pasur probleme.

Në momentin e vaksinimit, ata e kanë pyetur mos ka pasur ndonjë problem së fundi, ajo u ka treguar kohën e saktë të vaksinimit, pastaj ata e kanë pyetur nëse një problem e ka pasur në dy muajt e fundit, me ç’rast ajo e ka mohuar edhe e ka marrë, dhe pastaj ndodhi ajo që ndodhi”, tha Xhemajli për GazetaBlic.

Megjithatë, Klinika Emergjente e Qendrës Klinike Universitare para pak çastesh ka dalë me një komunikatë, ku ka shpalosur detaje që nga ardhja e pacientes e deri te konfirmimi i vdekjes së saj.

Tutje, Klinika shtoi faktin se familjarët e saj kanë refuzuar obduksionin.

“Klinika Emergjente e Qendrës Klinike Universitare e Kosovës, në lidhje me lajmet e publikuara për vdekjen e Z. I ( 1998), nga fshati Zabel i Drenasit, sqaron se, pacientja vjen në Klinikën Emergjente në QKUK në ora 16:30, të datës 15 shtator 2021, me autoambulancë nga Qendra e Mjekësisë Urgjente në Prishtinë, për shkak të humbjes së vetëdijes, me bebëza të zgjeruara, pa tension arterial, pa puls periferik, me frymëmarrje të vështirësuar.

Menjeherë mjekët dhe stafi shëndetësorë ka ndërmarrë masat reanimatore, pacientes i bëhen analizat laboratorike, radiologjike dhe konsulencat tjera mjekësore.

Përkundër përpjekjeve maksimale nga stafi i Klinikën Emergjente, pacientja nuk arriti të mbijetonte, vdekja konstatohet në ora 17:45.

Diagnoza përfundimtare e vdekjes ishte hemoragjia intraabdominale ( gjakderdhje në bark), shok hemoragjik.

Familjarët kanë refuzuar abduksionin”, thuhej tutje në njoftim.