Familjarët mund të kërkojnë shqyrtimin e obduksionit të të vrarëve në Kumanovë (Video)

Avokati i Popullit në Maqedoni, Ixhet Memeti, thotë se institucioni i tij mund të kërkojë shqyrtimin e obduksionit të pjesëtarëve të grupit të Kumanovës, pas dyshimeve të ngritura në media, porse duhet të ketë një kërkesë nga familjet e viktimave.

Memeti inkurajon familjarët që nëse dyshojnë për lëshime në ekspertizën e kryer, t’i drejtohen Ombudsmanit me kërkesë zyrtare për hapjen e procedurës hetimore.

“Nëse familjarët dyshojnë në punën e Institutit për Mjekësi Ligjore, gjithsesi se mund të hapim procedurë dhe ta hetojmë si rast se a është bërë ekspertiza apo obduksioni konform rregullave dhe procedurave të parapara”, deklaroi Memeti për TV Shenja.

Ai thekson se përveç shqyrtimit të ekspertizës tashmë të kryer nga Instituti për Mjekësi Ligjore në Maqedoni, Ombudsmani mund të kërkojë edhe obduksion të ri plotësues dhe të pavarur.

Reagimet e Avokatit të Popullit vijnë pasi obduksioneve të Beg Rizajt dhe Arben Rexhajt, të publikuara nga Shenja, u mungonin të dhëna elementare për rrethanat e vdekjes së tyre. Ato dëshmonin se të dy Rizaj dhe Rexhaj janë vrarë në mënyrë identike, me plumb në kokë, thuajse në lartësinë e njëjtë. Megjithatë nuk precizohet afërsia prej së cilës është hapur zjarri dhe as koha e vdekjes së tyre.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT