Familjarët dyshojnë se puna si shkyçës i kushtoi me jetë punëtorit të KEDS-it (Video)

Shukri Podvoricës, 45-vjeçar nga Dumoshi i Podujevës, i cili punonte shkyçës në kompaninë KEDS, vendi i punës dyshohet se i kushtoi me jetë.

Kështu së paku po dyshojnë familjarët e të ndjerit, të cilët thonë se i ndjeri edhe një ditë më herët kishte pasur kërcënime nga konsumatorë, të cilët i kishte shkyçur nga rrjeti i energjisë elektrike, raporton KTV.

Ata nuk kanë pranuar të flasin para kamerës, por tregojnë se mbrëmjen e së dielës, ai mori një telefonatë, ku caktoi një takim me dikë që kishte problem me orën e rrymës.

Sipas familjarëve, ai menjëherë kishte dalë nga shtëpia me veturë dhe kishte shkuar deri te kjo xhami e fshatit dhe se dëshmitarët u kanë thënë atyre se nga aty, ai është marrë me dy vetura nga persona të tjerë.

Ndërkaq në orët e hershme të mëngjesit të së hënës, Podvorica u gjet i vdekur pak metra më larg, skaj rrugës Dumosh – Batllavë.

Ata thonë se i ndjeri nuk ka pasur probleme me askënd, derisa dyshimet më të mëdha i kanë se vrasja e tij lidhet me punën që bënte.

Policia e ka konfirmuar rastin, duke thënë se në afërsi të tij janë gjetur dy gëzhoja.

“Policia në vendngjarje ka gjetur edhe dy gëzhoja të armës. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar se viktima është pa shenja jete. Njësitet policore janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për hetimin e rastit dhe sqarimin e tij”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

E kolegët e viktimës të Sindikatës të Pavarur “Elektrokosova” thonë se i njëjti ka pasur kërcënime, jo vetëm të shtunën, por gjatë gjithë kohës nga borxhlinjtë e KEDS-it, për shkak të shkyçjeve që ua kishte bërë.

Sindikalistët kërkojnë që kryerësit e kësaj vepre të dalin sa më shpejt para drejtësisë.

Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT