Familja Elshani nga Drenasi ka reaguar ndaj një shkrimi të botuar ditë më parë në gazetën “Jeta në Kosovë”. Kjo e fundit kishte shkruar lidhur me një proces gjyqësor që po zhvillohet ndaj një familjari të tyre, duke e implikuar me këtë rast tërë familjen Elshani. Në reagim thuhet se opinioni kosovar nuk ka asnjë interes të informohet për diçka që po ndodhë në një shtet tjetër dhe ndaj një firme por jo ndaj familjes së tyre.
“Duke përmendur shuma të mëdha parash, gazeta ka vë në rrezik tërë familjen”, thuhet ndër të tjera në reagimin e familjes Elshani e cila poashtu ka vë në dukje se edhe ata do të mund të hidhnin dyshime në keqpërdorimin e donacioneve që jepen për gazetën “Jeta në Kosovë”.
Reagimin i plotë i familjes Elshani:
Reagim ndaj shkrimit në portalin, “Jeta në Kosovë”, me titull:
“Hulumtimi – Rruga e dyshuar e milionave nga Norvegjia në Drenas” e datës 18.03.2015
E nderuara Redaksi,
Të nderuar lexues,
Ndjejmë obligim ndaj lexuesve tuaj të respektuar por edhe stafit dhe redaksisë së kësaj gazete që të reagojmë ndaj këtij shkrimi sa tendencioz po aq edhe i pabazuar në fakte, si dhe ndjejmë obligim të mbrojmë dinjitetin e familjes sonë e cila shumë herë padrejtësisht përflitet në këtë shkrim.
Duke provuar ta kuptojmë drejt qëllimin e kësaj gazete për të nxjerrë në dritë një proces i cili po zhvillohet në Norvegji ndaj familjarit tonë z. Shkelzen Shala (Elshani) me pretendime se kompania e tij atje “Aktiv Malerservice”, gjate viteve të kaluar “ka bashkëpunuar me disa kompani (nënkontraktorë) të cilat sipas evidencave të Administratës së atjeshme Tatimore i paskan ikur tatimeve sipas ligjit Norvegjez për kompanitë private “!
Njëkohësisht shprehim kundërshtimin tonë të fuqishëm ndaj këtij shkrimi të sjellë të përkthyer nga një gazetë ditore në Norvegji “Aftenposten”, rreth këtij rasti duke qenë edhe pjesë e hulumtimit të vetë kësaj gazete, por duke mos marrë asnjë përgjegjësi dhe mos bërë përpjekje për të konfirmuar saktësinë dhe vërtetësinë e shumë pretendimeve të cilat janë të cekura në këtë shkrim.
Shprehim habinë se cili është vërtet motivi i kësaj gazete për të bartë të përkthyer një shkrim të tillë i cili për kontestin Kosovarë dhe në raport me Ligjet e aplikueshme në Kosovë nuk ka të bëjë asgjë dhe si rrjedhim nuk vlerësojmë se i shërben interesit për informimit të drejtë të opinionit tonë publik.
Kjo për faktin se i gjithë kontesti është duke u zhvilluar në një shtet shumë larg Kosovës dhe i cili i ka të gjitha Institucionet dhe Instrumentet ligjore për të mbledhë dhe përcjellë mbledhjen e tatimeve sipas ligjeve atje dhe se gazetat tona vlerësojmë se kanë jashtëzakonisht shumë tema të rëndësishme ekonomike për rrethanat konkrete në Kosovë.
Më tutje, implikimi i familjes sonë Elshani në ketë shkrim është sa i paqëndrueshëm aq edhe i padrejtë duke pas për bazë faktin se as në vetë procesin gjygjësorë të shkallës së parë të mbajtur në Oslo ndaj z. Shkelzen Shala (Elshani), në asnjë moment prokuroria e atij shteti nuk e kishte implikuar për asnjë çështje dhe me asnjë Fakt të vetëm neve si familje Elshani në Kosovë.
Për me tepër, nuk duhet ta mohojmë edhe faktin se në këtë shkrim po përmenden shumë miliona e miliona, duke i ndërlidhur padrejtësisht me emrin e familjes Elshani, e kur përmenden shuma kaq të mëdha duhet gjithsesi të kihet parasysh edhe faktin se ambiciet e keqbërësve potencialisht rriten!
Në një situatë të tillë padyshim se indirekt i venë në rrezik anëtarët e familjes sonë, por çfarëdo që do të mund të ndodhe ndaj familjareve tanë, përgjegjësia do te bjerë edhe mbi gazetën dhe gazetaret e implikuar në ketë shkrim sa tendencioz po aq konfuz dhe të pabazuar dhe i cili njëkohësisht përbën një bazë të mjaftueshme ligjore për të ngritur një Padi Penale ndaj kësaj gazete.
Në vazhdim po i përmbledhim disa nga pretendimet absolutisht të paqëndrueshme në ketë shkrim të cilat si të tilla e bëjnë këtë shkrim jo serioz dhe jo të besueshëm për lexuesin.
1. Kompania Aktiv me seli në Drenas që nga krijimi i saj i ka transparente të gjitha pasqyrat financiare dhe se këto të dhëna kanë qenë dhe janë të raportuara pranë Administratës Tatimore sipas ligjeve të aplikueshme në Kosovë.
2. Përveç implikimit të pabazuar të familjes sonë në gjithë këtë shkrim, vlerësojmë se ky shkrim i implikon padrejtësisht dhe e fyen punën e mbi 30 punëtorëve të vyeshëm të kompanisë Aktiv të cilët me përkushtim maksimal kanë kontribuar dhe kontribuojnë çdo ditë që kjo kompani të rritet dhe të arrij të zhvillohet.
3. Në ketë shkrim ata vazhdojnë me mos profesionalizëm duke i rritë shifrat në miliona si dhe biznesin tone edhe ne qendra tjera si Pejë, madje i kalojnë edhe kufijtë e Kosovës duke spekuluar me te pavërteta se ne kemi biznes edhe ne kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, gjë që është absolutisht e pavërtetë.
Prandaj, si përfundim ne familja Elshani kundërshtojmë linçimin publik të bërë në këtë shkrim ndaj familjes sonë dhe i ftojmë si gazetarët e nderuar të së përditshmes Norvegjeze “Afteposten” po ashtu edhe bashkëpunëtorët të tyre në Kosovë të Gazetës “Jeta në Kosovë”, që të kërkojnë qasje në deklarimet tona pranë Adaministratës Tatimore dhe se janë të mirëseardhur tek ne t’i shohin të gjitha pasqyrat tona financiare përgjatë këtyre viteve.
Një duhet të jetë plotësisht e qartë edhe për ju si gazetarë se Familja Elshani nuk bartë asnjë përgjegjësi penale dhe juridike për asgjë që ka të bëjë me vetë kompaninë “Aktiv” në Kosovë e mos të flasim për çfarëdo përgjegjësie për kompaninë “Aktiv Malerservice” në Norvegji !
Prandaj, ndërlidhja e shprehjes “Familje” dhe ripërtëritja e saj e vazhdueshme për gjatë gjithë këtij shkrimi, len një shije shumë keqe dhe tendencioze, se gazetarët qëllimisht kanë tentuar të ngrisin “mitin e një lloj familje mafioze kosovare”, duke lënduar vlerën e lartë të familjes në traditën dhe kulturën Shqiptare si dhe duke shkel kështu vetë normat etike dhe morale të gazetarisë profesionale.
Nga krejt kjo që u tha më lart krijohet përshtypja edhe për shqetësimin e vetë të gazetës “Jeta ne Kosove” për problemet e Tatimore të një shteti shumë të zhvilluar ekonomikisht sikurse është Norvegjia!
Bazë për të bërë një shkrim të ngjashëm inkriminues për Familjen Xharra do të mund të përdoreshin edhe milionat e donacioneve që kompania e saj merr nga qeveri të ndryshme e ndër të tjera edhe nga qeveria Norvegjeze.
Ne kemi fakte të pamohueshme për të paktën një shumë që ajo ka marr si donacion nga Ministria e Jashtme Norvegjeze, që është hiq me pak se 250.000,00Euro ose me shpreh në miliona kjo është 0.25 miliona Euro, për të cilat edhe ne mund të dyshojmë që së bashku me milionat tjerë kan mundur të përfundojnë në xhepat e Familjes Xharra.
Drenas, 20.03.2015
Në emër të Familjes Elshani
Gazmend Elshani
/Infodirekt.tv/
- Advertisement -