Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, deri në këtë vit, konsumatorët i kanë borxh 33 milion e 140 mijë euro.
Ligji për faljen e borxheve nga ana e Qeverisë për të gjitha shpenzimet duke përfshirë këtu rrymën, ujin, ngrohjen, pagesat për mbeturinat, obligimet e bizneseve dhe qytetarëve ndaj Administratës Tatimore, Doganave dhe pagesat e tatimit në pronë deri në fillim të vitit 2009, sigurisht që nuk mund të kalojë edhe pa dëme.
Vetëm Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, deri në këtë vit, konsumatorët i kanë borxh 33 milion e 140 mijë euro.
Por, nga ky vendim i Qeverisë, kjo kompani llogaritet të ketë dëme të konsiderueshme, vlera e së cilës kalon shumën prej 22 milion eurove.
Drejtori ekzekutiv i këtij Ujësjellësi, Gjelosh Vataj, thotë se këtu llogaritet edhe një kredi në vlerë prej 20 milion eurove të cilën e kanë marrë për ndërtimin e një fabrike të re, duke thënë, se ata kanë menduar që kthimi i kësaj kredie të lidhet direkt me borxhet e vjetra.
Po ashtu, sipas tij, ata kanë një marrëveshje me konsumatorët për riprogramim të borxheve që arrin vlerën prej 2 milionë euro dhe me këtë vendim ata do t’i humbin edhe këto para.
Por, kjo kompani përveç se do të ketë dëme në para, vetëm ka filluar të ketë dëme edhe në inkasim.
Sipas Vatajt, nga deklarimi i Qeverisë se do të falen borxhet është krijuar një amulli e madhe dhe kjo ka bërë që të ketë ndikim direkt të rënies së inkasimit. Kjo për shkak se, sipas tij, konsumatorët të cilët kanë borxhe të mëdha nuk po i lejojnë shkyçjet, ndërsa ata të cilët kanë qenë konsumator të rregullt po hezitojnë ta paguajnë borxhin e tanishëm.
Ai thotë se ata ende nuk kanë ndonjë vendim të qartë nga ana e Qeverisë dhe, sipas tij, përderisa nuk do të ketë një vendim të tillë ata nuk do të ndalen së kërkuari borxhet e tyre nga konsumatorët.
E sa i përket ndërtimit të fabrikës së re të ujit “Shkabaj”, sipas Vataj, ndërtimi është duke shkuar ashtu siç e kanë planifikuar dhe, sipas tij, ajo pritet që të përfundoj në verën e vitit të ardhshëm. Pasi të përfundoj kjo fabrikë, konsumatorët do të furnizohen me ujë 24 orë dhe, sipas Vataj, është menduar që të lidhen me furnizim të ujitë të pijshëm edhe Fushë Kosova dhe Obiliqi.
E sa i përket nivelit të liqeneve të Batllavës dhe Badovcit, ai thotë se është shumë i mirë në krahasim me vitet e fundit. Ai premton që do të bëjnë çmos që konsumatorët të kenë ujë sa më gjatë që është e mundur. /Kosovapress/
- Advertisement -