Ndërsa eksperti i çështjeve të sigurisë, Avni Islami ka thënë për Zëri se mosshkuarja e ushtrisë në pjesën veriore nënkupton që Kosova nuk ka sovranitet të plotë, megjithatë, ai ka thënë se situata politike në veri të vendit e pamundëson shkuarjen e FAK-ut atje. Po, sipas tij, kryeministri Mustafa nuk është dashur të japë atë deklaratë në këtë kohë.
“Duhet të potencohet se çdo shtet duhet t’i ketë tri elemente: popullin, territorin dhe sovranitetin. Dhe një vend në të cilin ushtria e tij nuk shtrihet në tërë territorin e tij, atëherë nuk mund të thuhet se ai shtet ka sovranitet të plotë. Deklarata e kryeministrit, Isa Mustafa, pastaj deklarata e komandantit të FSK-së ishin paksa kontradiktore. Megjithatë, duhet të thuhet se deklarata e Mustafës është korrekte, pasi ashtu është situata aktuale, por momentalisht nuk do të duhej të deklarohej në atë mënyrë”, ka thënë Islami.