Fadil Nura jep dorëheqje nga posti i deputetit

Kryetari i zgjedhur i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka dhënë dorëheqje nga post i deputetit. Ai ka shkruar se sa ishte deputet “me përgjegjësi jam angazhuar për të mbrojtur përveç tjerash edhe interesat e komunës sonë”.

“Nderin e njëjtë do ta kem edhe tani t’ju shërbej, vetëm se me përgjegjësinë e kryetarit të Komunës, për çka mëzi pres të nisim angazhimet për punë të mëdha që na presin”, ka shkruar ai.

Nura, kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës, ka fituar në zgjedhjet e 17 tetorit, kundër kandidatit të pavarur, Bekim Jashari.

Ai ka marrë 13.123 vota apo 57.89, derisa Bekim Jashari 9.236 vota apo 40.74 për qind.

Në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, ish-deputeti i PDK-së kishte marrë 9.270 vota.

Që nga fillimi i fushatës për zgjedhjet lokale, tre deputetë të PDK-së kanë dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.  Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismajli pati dhënë dorëheqje për shkak të kandidimit të tij për të parin e Prishtinës. Dorëheqje ka dhënë edhe Bedri Hamza i cili i ka fituar zgjedhjet në Mitrovicë. Dorëheqja e tretë përgjatë kësaj periudhe është ajo e Fadil Nurës, kryetar i zgjedhur i Skenderajt.