Së fundmi Facebook është përpjekur shumë të rrisë funksionalitetin e aplikacionit të saj Messenger, duke i kërkuar zhvilluesve të palës së tretë të përfshijë funksionalitete të reja për këtë aplikacion. Ditën e mërkurë, gjatë konferencës vjetore F8 të Facebook, CEO i kompanisë Mark Zuckerberg prezantoi dy risi që do të sjellë Messenger së shpejti, por kjo nuk mbaron me kaq, ai shtoi se shumë të tjera do të vijnë në muajt në vazhdim.
Më e rëndësishmja ka të bëjë me faktin se bizneset do të mund të përdorin Messenger si një urë lidhëse me konsumatorët. Kjo do të thotë se pasi të keni blerë diçka në një uebfaqe online, ju mund të kontaktoni biznesin përkatës përmes Messenger nëse keni ndonjë pyetje mbi produktin e blerë. Është një mënyrë më e thjeshtë se sa të ngresh telefonin dhe të telefonosh shitësin.
Gjithashtu Facebook do të lejojë aplikacionet e palëve të treta të integrohen me Messenger, në mënyrë që përdoruesit mund të dërgojnë mesazhe “më të pasura”. Zuckerberg përmendi si shembull JibJab, një aplikacion që ju jep mundësinë të krijoni mesazhe të animuara. Këto janë vetëm disa nga format që kompania ka zgjedhur për të zgjeruar akoma më shumë funksionalitetin e Messenger, por në vazhdim do të njihemi më shumë të tjera.
Facebook filloi në një farë mënyrë të detyronte përdoruesit e saj të përdornin Messenger vitin që shkoi, në momentin kur kompania bëri të padisponueshëm dërgimin e mesazheve në aplikacionin e saj kryesor. Fillimisht shumë njerëz u ankuan për këtë gjë por duket se ata u mësuan shpejt me idenë duke marrë parasysh faktin se sot Messenger ka 600 milion përdorues. Këta miliona përdorues sigurisht që do të kishin dëshirë ta përdornin Messenger për diçka
përtej komunikimit ndaj Facebook ka vendosur ta shëndrrojë Messenger në një platform të gjerë të hapur për palët e treta.
Duke shtuar opsione dhe karakteristika të reja, Facebook sigurohet që përdoruesit të shpenzojnë më shumë kohë në aplikacionin e saj. Zuckerberg pohoi se Messenger shumë shpejt do të ketë potencialin për tu kthyer në një vegël të rëndësishme komunikimi për të gjithë botën. Ky pohim përbën gjithashtu një kërcënim serioz për rivalët në treg si Yelp, i cili ofron komunikim mes bizneseve dhe përdoruesit.
Gjatë konferencës F8, Zuckerberg deklaroi se tanimë në Facebook përdoruesit mund të postojnë video 360 gradë. Është një lloj video e ngjashme me realitetin virtual që filmohet nga kamera të ndryshme. Kjo konferencë startoi ditën e djeshme për të përfunduar sot në Fort Mason Center në San Francisco. Çdo vit kjo konferencë është cilësuar si një takim tepër i rëndësishëm ku kompania Facebook bën publike planet e saj për të ardhmen e afërt të kompanisë duke i sjellë publikut risi. U mësua se në këtë event marrin pjesë rreth 3.000 zhvillues, një numër ky goxha i madh krahasuar me 750 që morën pjesë në po të njëjtën konferencë në vitin 2007. (CIO Albanian)
- Advertisement -