Eurodeputeti austriak: Tani është koha që pesë shtet anëtare të BE’së, ta njohin Kosovën

Eurodeputeti austriak Lukas Mandl, ka pohuar se është momenti që pesë shtetet anëtare të BE-së, që ende nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë këtë përfundimisht.

Politikani austriak zëdhënës i Partisë Popullore Austriake për politikën e jashtme dhe sigurinë ka thënë se brezit tonë politik i takon që t’i sigurojë gjeneratave të ardhshme një jetë pa luftë.

“Kushdo që fillon një luftë nuk duhet të jetë i suksesshëm. Është detyrë e brezit tonë politik që ta sigurojë këtë për Evropën. Duke vepruar kështu, ne po i japim brezit të ardhshëm shansin për një jetë pa luftë”, thotë Lukas Mandl, nënkryetar i Komitetit të Mbrojtjes në Parlamentin Evropian për luftën në Ukrainë.

Mandl gjithashtu është edhe anëtar i delegacionit parlamentar në Bosnjë-Hercegovinë si dhe Kosovë, ndërsa është edhe kryetar i Grupit jopartiak të Miqësisë së Kosovës dhe përfaqësues i Partisë Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian për Kosovën, transmeton Telegrafi.

“Agresioni kundër Ukrainës, një vend që bazohet në vlerat tona të demokracisë dhe shtetit të së drejtës, ka çuar në disa zhvillime irrituese në Ballkanin Perëndimor. Ndërsa pesë shtete mbështesin qartë unitetin e Evropës kundër sulmit rus, ka tendenca irrituese nga ana e udhëheqjes serbe, distancimi nga BE-ja, mungesa e solidaritetit me Ukrainën dhe mirëkuptim për agresorin”, shprehet qartë Mandl.

“Qytetarët e Serbisë meritojnë struktura në të gjitha nivelet që respektojnë vlerat tona evropiane. Evropa meriton unitet në diversitet. Ukraina meriton solidaritet dhe udhëheqja ruse meriton sanksione me efekt të plotë. Të gjitha institucionet e BE-së tani duhet t’i bëjnë urgjentisht thirrje Serbisë që të distancohet qartë nga çdo formë luftarake. Përndryshe, negociatat e anëtarësimit në BE do të ishin një ndërmarrje e kotë. Po ashtu, normalizimi i marrëdhënieve me Republikën e Kosovës duhet të përfundojë menjëherë, dhe njohja duhet të përgatitet pa vonesë”, thotë Mandl.

Eurodeputeti shton se “Tani është koha që ato pesë shtete anëtare, që ende nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë këtë përfundimisht. Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja duhet ta njohin menjëherë Republikën e Kosovës. Kjo do të ishte gjithashtu një shenjë e fortë e unitetit të vlerave të komunitetit evropian. Objektivisht asgjë nuk flet kundër saj, por gjithçka flet për të. Momenti është tani”.

Së fundmi, Mandl ishte përgjegjës për raportin mbi luftimin e krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor si kryenegociatori për Parlamentin Evropian dhe drejtoi misionin e vëzhgimit të zgjedhjeve të BE-së për zgjedhjet lokale në Kosovë në vjeshtë.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT